Ministria e Drejtësisë
  Përmbledhje e Legjislacionit

L I G J

Nr.7905, datë 21.3.1995

KODI I PROÇEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (i azhornuar)

SEKSIONI VI

EKSPERTIMI

Neni 178

Objekti i ekspertimit

1. Ekspertimi lejohet kur është i nevojshëm zhvillimi i kërkimeve ose marrja
e të dhënave ose e vlerësimeve që kërkojnë njohuri të posaçme teknike,
shkencore ose kulturore.
2. Nuk lejohen ekspertimet për të përcaktuar profesionizmin në veprën penale,
prirjet kriminale, karakterin dhe personalitetin e të pandehurit dhe në
përgjithësi cilësitë psikike që nuk varen nga shkaqet patologjike.

Neni 179

Caktimi i ekspertit

1. Caktimi i ekspertit bëhet duke e zgjedhur atë ndërmjet personave që janë
regjistruar në librat e caktuar për këtë qëllim ose ndërmjet atyre që kanë
njohuri të posaçme në degën përkatëse. Kur ekspertimi shpallet i pavlefshëm,
organi procedues merr masa, kur është e mundshme, që detyra e re t 'i besohet një
eksperti tjetër.
2. Vendimi i organit procedues për caktimin e ekspertit i njoftohet të
pandehurit ose mbrojtësit të tij, duke i bërë të ditur se ka të drejtë të
kërkojë përjashtimin e ekspertit, të propozojë ekspertë të tjerë, të marrë
pjesë vetë në ekspertim, kur është e mundur, dhe të parashtrojë pyetje për
ekspertin.
3. Kur kërkimet dhe vlerësimet paraqiten shumë komplekse ose kërkojnë njohuri
të ndryshme në disa degë, organi procedues ua ngarkon kryerjen e ekspertimit
disa ekspertëve.
4. Eksperti është i detyruar të kryejë detyrën e tij, me përjashtim të rasteve
kur ekziston një nga shkaqet që e përjashtojnë atë nga qenia ekspert.

Neni 180

Papajtueshmëria me detyrën e ekspertit

1. Nuk mund të kryejë detyrën e ekspertit:
a- i mituri, ai që ka ndalim ligjor ose i është hequr zotësia juridike për të
vepruar ose vuan nga një sëmundje mendore;
b- ai që është pezulluar, qoftë edhe përkohësisht, nga detyrat publike ose nga
ushtrimi i një profesioni;
c- ai, ndaj të cilit janë marrë masa sigurimi personal;
ç- ai që nuk mund të pyetet dëshmitar apo të merret përkthyes ose që ka të
drejtë të mos bëjë dëshmi ose përkthim.

Neni 181

Përjashtimi i ekspertit

1. Palët mund të kërkojnë përjashtimin e ekspertit në rastet e parashikuara
nga ky Kod për përjashtimin e gjyqtarit.
2. Kur ekziston një shkak përjashtimi, eksperti është i detyruar ta deklarojë.
3. Deklarimi i shkakut të përjashtimit nga vetë eksperti ose kërkimi i
përjashtimit nga palët mund të paraqiten derisa të mos jetë bërë caktimi i
detyrës dhe, kur shkaqet kanë lindur aty për aty ose janë njohur më pas, para
se eksperti të ketë dhënë mendimin e tij.
4. Mbi deklarimin e ekspertit për përjashtim ose të kërkesës për përjashtimin
e tij vendos, me urdhër, organi procedues që ka caktuar ekspertimin.

Neni 182

Disponimet e organit procedues

1. Organi procedues disponon ekspertimin me vendim të motivuar, i cili përmban
caktimin e ekspertit, paraqitjen e përmbledhur të çështjes, tregimin e ditës,
të orës dhe të vendit të caktuar për paeaqitjen e ekspertit.
2. Organi procedues urdhëron thirrjen e ekspertit dhe merr masat e nevojshme
për paraqitjen e personave që i nënshtrohen ekspertimit.

Neni 183

Caktimi i detyrës

1. Organi procedues, pasi sigurohet për identitetin e ekspertit, e pyet nëse
ka shkaqe përjashtimi nga detyra e ekspertit, paralajmëron për detyrimet e
përgjegjësitë e parashikuara nga ligji penal, i formulon kërkesat e ekspertimit
dhe e fton të bëjë këtë deklaratë: "I vetëdijshëm për përgjegjësinë morale dhe
juridike për detyrën që marr përsipër, do ta kryej atë me ndershmëri e drejtësi
dhe do të ruaj sekretin për të gjitha veprimet që lidhen me ekspertimin".
2. Shpërblimi i ekspertit caktohet me urdhër të organit që ka disponuar për
ekspertimin.

Neni 184

Veprimet e ekspertit

1. Për t'iu përgjigjur kërkesave të ekspertimit, eksperti mund të autorizohet
nga organi procedues që të shohë aktet, dokumentet dhe gjithçka që përfshihet
në fashikullin e prokurorit ose të gjykatës.
2. Eksperti mund të autorizohet të marrë pjesë edhe në pyetjen e palëve dhe
marrjen e provave.
3. Kur eksperti kërkon të dhëna nga i pandehuri, i dëmtuari ose nga persona
të tjerë, këto të dhëna përdoren vetëm për qëllimet e ekspertimit.

Neni 185

Akti i ekspertimit

1. Mendimi i ekspertit jepet me shkrim.
2. Kur ekspertët e caktuar janë më shumë se një dhe kanë mendime të ndryshme,
secili parashtron me akt të veçantë mendimin e tij.
3. Kur faktet janë komplekse dhe eksperti nuk mund të japë përgjigje
menjëherë, organi procedues i jep atij një afat jo më të gjatë se gjashtëdhjetë
ditë. Kur ka nevoje për verifikime veçanërisht komplekse ky afat mund të zgjatet
edhe më shumë se një herë për periudha jo më të gjata se tridhjetë ditë, por pa
kaluar afatin maksimal prej gjashtë muajsh.

Neni 186

Zëvendësimi i ekspertit

1. Eksperti mund të zëvendësohet kur nuk jep mendimin e vet në afatin e
caktuar ose kur kërkesa e zgjatjes nuk është pranuar ose kur neglizhon në
kryerjen e detyrës.
2. Vendimi i organit procedues për zëvendësimin jepet pasi dëgjohet eksperti.
Eksperti i zëvendësuar mund të dënohet me gjobë deri dhjetë mijë lekë.
3. Eksperti zëvendësohet edhe kur pranohet kërkesa për përjashtimin e tij.
4. Eksperti i zëvendësuar detyrohet të dorëzojë në organin procedues
dokumentacionin dhe rezultatet e veprimeve të kryera.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

L I G J

Nr.8116, datë 29.3.1996

KODI I PROCEDURES CIVILE I REPUBLIKES SE SHQIPERISE (i ndryshuar)

KREU VI

EKSPERTET

Mënyra e caktimit

Neni 225

Caktimi i ekspertit bëhet nga gjykata duke marrë edhe
mendimin e palëve e të pjesëmarrësve në gjykim. Vendimi për emërimin e
ekspertit i bëhet i ditur këtij prej sekretarit gjyqësor, duke
iu njoftuar edhe data për t'u paraqitur në seancën e caktuar.
Eksperti që nuk pranon të kryejë këtë detyrë, duhet t'i
njoftojë gjykatës argumentet përkatëse të paktën pesë ditë
përpara seancës gjyqësore.
Për rrethana të dala rishtazi palët kërkojnë menjëherë
përjashtimin e ekspertit, duke parashtruar argumentet përkatëse.

Betimi

Neni 226

Gjykata përpara se eksperti të fillojë nga kryerja e
detyrës, i kujton atij rëndësinë e funksioneve për të cilat është thirrur
për t'i përmbushur dhe e fton të bëjë betimin se do të kryejë
mirë e me nder detyrat që i janë besuar, me të vetmin qëllim që t'ia
bëjë të ditur gjykatës të vërtetën.

Caktimi i detyrave

Neni 227

Gjykata, pasi merr edhe mendimin e palëve, i cakton
ekspertit çështjet për të cilat duhet të merret mendimi i tij.
Eksperti ka të drejtë të njihet me materialet e çështjes,
të marrë pjesë në seancë gjyqësore, të bëjë pyetje, të japë
shpjegime dhe të kërkojë nga palët të marrë të dhëna nga të tretët brenda
kufijve të nevojshëm për kryerjen e detyrës.
Eksperti mund të asistohet edhe nga ndihmës të tij, por
përgjegjësia për saktësinë e ekspertimit i mbetet atij.
Kur sipas vendimit të gjykatës për kryerjen e ekspertimit
është e nevojshme që eksperti të njihet me sende, evidenca,
llogari e dokumente të tjera, palët mund të jenë të pranishme dhe mund
t'i paraqitin ekspertit me shkrim mendime, vërejtje të specialistëve
të tyre, të cilët mund të pyeten me cilësinë e dëshmitarit ose
kërkesa që lidhen me plotësimin e detyrës, por gjithnjë brenda
kompetencave të caktuara në vendimin e gjykatës.

Kryerja dhe vlerësimi i ekspertimit

Neni 228

Kur ekspertimi kryhet me praninë e gjykatës ose të gjyqtarit
të deleguar mbahet procesverbal, por gjykata mund t'i kërkojë
ekspertit që të japë përfundimet e ekspertimit në një raport me
shkrim.
Kur ekspertimi kryhet pa pjesëmarrjen drejtpërdrejt të
gjykatës, eksperti duhet të hartojë një raport me shkrim mbi
ekspertizën e kryer, në të cilën duhet të gjejnë pasqyrim edhe
vërejtjet e kërkesat e palëve. Deklaratat eventuale të palëve të
përmendura në raport vlerësohen nga gjykata, duke pasur parasysh
rregullat e parashikuara në nenin 29 të këtij Kodi.
Raporti duhet të depozitohet në sekretari në afatin e
caktuar nga gjykata.

Përsëritja e ekspertimit

Neni 229

Kur shihet se ekspertimi është i metë ose i paqartë, si dhe
kur ka ndryshim mendimesh midis ekspertëve, gjykata, kryesisht
ose me kërkesën e ndonjërës nga palët, mund të kërkojë sqarime
plotësuese ose të urdhërojë kryerjen e një ekspertimi të ri, duke
thirrur ekspertë të tjerë.

Pasqyrimi i përfundimeve të ekspertimit

Neni 230

Mendimi i ekspertit duhet të jetë i arsyetuar.
Kur ekspertët janë të një mendimi, përfundimet e ekspertimit
mund t'i parashtrojë njëri që caktohet prej tyre; kur ka ndryshim
mendimesh midis ekspertëve, secili prej tyre duhet të parashtrojë
vetë mendimin e tij. Pasi të kenë dhënë mendimin, ekspertëve mund
t'u bëhen pyetje.

 

 

 

 

L I G J

Nr.7830, datë 15.6.1994

PER AUTOPSITE

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr. 7491, datë 29.4.1991 "Për dispozitat kryesore Kushtetuese", me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I :

Neni 1

Përcaktimi i vdekjes së një personi të shtruar ose jo në
një institucion shëndetësor kryhet nga ana e mjekut kurues ose të
një mjeku tjetër, në bazë të kritereve mjekësore të shënjave të
vdekjes.

Neni 2

Autopsia, që mund të jetë anatomo-patologjike ose
mjekoligjore, nuk mund te kryhet pa kaluar 12 orë nga casti i
vdekjes. Në raste të jashtëzakonshme autopsia mund të bëhet edhe
në një interval kohe më të shkurtër, por jo më parë së katër orë
pas vdëkjës dhë vëtëm pasi vdekja të jetë vertetuar nga dy mjekë.

Neni 3

Kur vdekja ndodh në institucionet shëndetësore, autopsia
anatomo-patologjike bëhet në rastet kur shefi i shërbimit ose i
pavionit kërkon verifikimin e diagnozës a të shkakut të vdekjes.
Kur shefi i shërbimit a i pavionit nuk e kërkon autopsinë,
ose kur vdekja ndodh jashtë institucioneve shëndetësore, autopsia
anatomo-patologjike bëhet vetëm me kërkesën e të afërmve të të
vdekurit sipas radhës së afërsisë gjinore deri në shkallën e
tretë, ose me kërkesën që pacienti mund të ketë bërë me shkrim a
me gojë para vdekjes.
Në të gjitha rastet e vdekjeve të fëmijëve të porsalindur
në institucionet shëndetësore, bëhet autopsi anatomo-patologjike.

Neni 4

Në të gjitha rastet autopsia anatomo-patologjike bëhet në
mënyrë të shkallëzuar deri në realizimin e qëllimit për të cilin
kryhet.

Neni 5

Nëse gjatë kryerjes së autopsisë anatomo-patologjike
gjënden të dhëna që dëshmojnë për një vdekje kriminale, autopsia
duhet të ndërpritet menjëherë dhe mjeku anatomo-patolog që kryen
autopsinë, pasi të ketë përshkruar hollësisht shënjat e
vërejtura, drejtperdrejt ose nëpërmjet drejtorisë së spitalit,
lajmëron organet e prokurorisë a të policise hetimore, të cilat
marrin masat e nevojshme dhe japin udhëzimet e duhura per t'u
vazhduar si autopsi mjekoligjore.

Neni 6

Autopsia mjekoligjore për zbulimin e shkaqeve e te
mekanizmit të vdekjeve kriminale, ose qe dyshohen si të tilla,
kryhet në mënyrë të detyrueshme në bazë të urdhrit me shkrim të
prokurorisë, gjykatës a policisë hetimore për të gjitha rastet
e :
- vdekjeve me dhunë të llojeve të ndryshme : vrasje,
vetëvrasje, aksident, lezione mekanike, helmime, asfiksi
mekanike, veprimi i temperaturave ekstreme, korrent elektrik dhe
cdo lloj tjetër dhune;
- në vdekjet e papritura jashte ose brenda institucioneve
shëndetësore, kur nuk dihet me saktësi shkaku i vdekjes;
- në vdekjet e fëmijëve të porsalindur, që kanë lindur
jashtë institucioneve shëndetësore;
- në vdekjet e personave të panjohur ose të kufomave të
copëtuara a të kalbëzuara;
- në vdekjet e pacientëve në institucionet shëndëtesore,
kur ka pretendime nga të afërmit për trajtimin mjekësor të tyre.

Neni 7

Në rastet e parashikuara në nenin 6, organet e
prokurorisë, të policise hetimore dhe të ruajtjes së rendit janë
të detyruara të marrin të gjitha masat për kryerjen e autopsisë
në kushte sa me optimale (transportimi i kufomës në morg ose në
vendin ku do të kryhet autopsia, sigurimi i personelit mjeko-
ligjor gjatë autopsisë, sigurimi i transportimit të materialeve
të marra për ekzaminime plotësuese në laboratorët përkatës,
etj.).

Neni 8

Në rastet e vecanta të vdekjeve mjekoligjore, ku shkaku i
vdekjes dhe mekanizmi i saj vlerësohen te qarta prej organeve
kompetente të drejtësisë, mund të lejohet marrja e kufomes nga
familja, pa iu nënshtruar autopsisë.

Neni 9

Mjeku specialist që kryen autopsinë, duhet të veprojë me
takt dhe të marrë të gjitha masat që kufoma t'u paraqitet pas
autopsisë të afërmve të saj në gjendje normale, duke respektuar
kështu të gjitha ndjenjat e tyre.

Neni 10

Vërtetimi i shkakut të vdekjes jepet me shkrim nëpërmjet
përpilimit te skedës së vdekjes, që është dokumenti mjekësor e
ligjor, i cili lejon shërbimin funeral të kryëjë formalitetet e
varrimit.

Neni 11

Skeda e vdekjes plotësohet nga mjeku kurues që i ka kuruar
për kufomat e personave që nuk i janë nënshtruar autopsisë, nga
specialisti anatomo-patolog për kufomat e personave që i janë
nënshtruar autopsisë anatomo-patologjike dhe nga specialisti
mjekoligjor për kufomat e vdekjeve kriminale. Në rastin e fundit
skeda e vdekjes shoqërohet edhe me një leje varrimi nga ana e
organeve që kanë kërkuar ekspertimin.

Neni 12

Varrimi i një kufome kryhet si rregull jo më parë se 12
orë nga koha e vdekjes dhe jo më vonë se 24 orë nga casti i
vërtetimit të saj.

Neni 13

Për zbatimin e ketij ligji ngarkohen organet e drejtësisë,
të rendit publik dhe Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes së
Mjedisit.

Neni 14

Dekreti nr. 1220, datë 9.2.1951 "Për autopsitë", si dhe
cdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me këtë ligj,
shfuqizohen.

Neni 15

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
Shpallur me dekretin nr. 869, date 22.6.1994 te Presidentit te Republikes se Shqiperise, Sali Berisha

 

 

L I G J

Nr.7893, datë 22.12.1994

PER SHKENCEN DHE ZHVILLIMIN TEKNOLOGJIK

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991
"Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozim të Këshillit
të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I:

KREU I

Neni 1

Fusha e veprimtarisë

Ky ligj përcakton bazat dhe parimet e organizimit, të
drejtimit, të kryerjes dhe të vlerësimit të veprimtarisë
shkencore dhe zhvillimit teknologjik në Republikën e Shqipërisë.

Neni 2

Përkufizime

Në kuptimin e këtij ligji:
- Veprimtari shkencore dhe të zhvillimit teknologjik
(veprimtari shkencore dhe teknologjike) quhen të gjitha
veprimtaritë sistematike, që kryhen për të përfituar, rritur,
përhapur dhe përdorur njohuritë shkencore dhe teknologjike në të
gjitha fushat e shkencës dhe të teknologjisë. Këto veprimtari
përfshijnë kërkimin shkencor dhe zhvillimin teknologjik (shkurt
kërkimin dhe zhvillimin), formimin dhe përgatitjen shkencore e
teknike, shërbimet shkencore e teknologjike.
- Kërkim shkencor (kërkim) quhen të gjitha veprimtaritë
sistematike e krijuese, që kryhen për të rritur vëllimin e
njohurive shkencore dhe zbatimet e tyre, si në studimin e
natyrës, të teknikës e të prodhimit, ashtu edhe në studimin e
njeriut, të kulturës e të shoqërisë.
- Kërkim fondamental (kërkim bazë) quhen të gjitha
veprimtaritë origjinale teorike dhe eksperimentale për të
përftuar njohuri të reja mbi fenomenet dhe faktet e vrojtuara,
për të cilat nuk parashikohet ndonjë zbatim a përdorim specifik.
- Kërkim i aplikuar quhen të gjitha veprimtaritë krijuese
origjinale për të përftuar njohuri të reja që syNojnë kryesisht
një objektiv ose zbatim praktik.
- Zhvillim teknologjik (zhvillim) quhen të gjitha
veprimtaritë sistematike, që kryhen për të transferuar
teknologjinë, për të prodhuar materiale, produkte e pajisje të
reja, për të futur procedura të reja prodhimi e organizimi ose
për të përmirësuar thellësisht ato ekzistuese, duke shfrytëzuar
njohuritë e fituara nga kërkimi shkencor dhe përvoja praktike.
- Formim dhe përgatitje shkencore e teknike quhen
veprimtaritë e shkollimit të lartë (universitar ose
jouniversitar), të kualifikimit e të specializimit të vazhdueshëm
dhe të përgatitjes sistematike të shkencëtarëve dhe të
specialistëve për kërkim e zhvillim.
- Shërbime shkencore dhe teknologjike quhen të gjitha
veprimtaritë sistematike të lidhura me kërkimin dhe zhvillimin,
që ndihmojnë në përfitimin, përhapjen dhe përdorimin e dijeve
shkencore dhe teknologjike (informacioni shkencor e teknik;
shërbimi i bibliotekave shkencore e teknike; veprimtaritë e
muzeve natyrore e teknike; vrojtimet gjologjike, hidrologjike,
meteorologjike, sizmologjike, pedologjike, radioaktive,
epidemiologjike e epizootike; shërbimet metrologjike e
kalibruese; kontrolli i cilësisë; grmbullimi i të dhënave për
dukuritë shoqërore, ekonomike, demografike, veprimtaria për
patentat dhe licencat; këshillimet shkencore e teknologjike).
- Financim institucional është financimi i orientuar për
mbajtjen dhe funksionimin e institucionit si një njësi e tërë.
- Financim problemor është financimi i orientuar për
realizimin e programeve dhe projekteve të lidhura me probleme të
caktuara.

Neni 3

Përparësia

Veprimtaritë shkencore dhe teknologjike janë përparësi
kombëtare.

Neni 4

Mbështetja shtetërore e veprimtarisë shkencore dhe teknologjike

1. Shteti krijon kushtet ligjore dhe organizative për
veprimtarinë shkencore e teknologjike dhe mbështet veprimtarinë e
institucioneve shtetërore përkatëse e të personelit të tyre.
2. Shteti inkurajon zhvillimin e veprimtarisë shkencore e
teknologjike edhe jashtë institucioneve shtetërore nga subjekte
(organizma e persona) private shqiptare e të huaja.

Neni 5

Liria dhe larmia e kërkimit dhe e zhvillimit

1. Liria e kërkimit shkencor dhe e zhvillimit teknologjik
është e garantuar me ligj.
Ajo përfshin:
- zgjedhjen e problematikës shkencore;
- parimet bazë metodike;
- vlerësimin e rezultateve kërkimore;
- përhapjen e këtyre rezultateve.
Mbështetja shtetërore synon të vendosë një raport të drejtë
ndërmjet lirisë së kërkimit shkencor dhe domosdoshmërisë së
përfitimit sa më të madh nga financimi i dhënë.
2. Organet shtetërore, universitetet e shkollat e larta dhe
Akademia e Shkencave sigurojnë larminë e shkencave, si dhe
zhvillimin shkencor të punonjësve të institucioneve të tyre.

Neni 6

Qëllimet dhe objektivat e veprimtarisë shkencore dhe
teknologjike

1. Veprimtaria shkencore dhe teknologjike ka për qëllim
themelor:
- përfitimin, rritjen dhe transmetimin e dijeve shkencore
dhe teknologjike në të gjitha fushat, në veçanti për pasuritë
natyrore të vendit dhe pasuritë shpirtërore, historike e
kulturore të popullit;
- shfrytëzimin dhe përdorimin e tyre racional për
përparimin harmonik e demokratik të shoqërisë, të ekonomisë e të
kulturës.
2. Objektivat e veprimtarisë shkencore dhe teknologjike
caktohen në përputhje me qëllimet e mësipërme dhe me objektivat e
zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.
3. Veprimtaria shkencore dhe teknologjike udhëhiqet nga:
- e vërteta shkencore;
- mbrojtja dhe zhvillimi i interesave kombëtare;
- liria e veprimtarisë shkencore dhe e mësimit të saj;
- domosdoshmëria e ndërthurjes së kërkimit me arsimin e
lartë;
- respektimi i të drejtave të pronësisë intelektuale;
- përgjegjësia morale e shkencëtarëve për pasojat e veprës
së tyre;
- kooperimi shkencor e teknologjik ndërkombëtar.
4. Rezultatet e veprimtarisë shkencore e teknologjike të
institucioneve vihen në dispozicion të shoqërisë. Ndërkaq
pronësia mbi to rregullohet sipas ligjit për pronësinë
industriale dhe të dispozitave ligjore të tjera.

Neni 7

Politika shkencore dhe teknologjike

1. Politika shtetërore në fushën e veprimtarisë për kërkim
shkencor dhe zhvillim teknologjik (këtej e tutje politika
shkencore dhe teknologjike), është pjesë përbërëse e politikës
tërësore të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit dhe shpreh
qëndrimin e shtetit ndaj kësaj veprimtarie.
2. Politika shkencore dhe teknologjike ka për qëllim:
- të përcaktojë objektivat, drejtimet dhe përparësitë e
veprimtarisë shkencore e të zhvillimit teknologjik, duke i
harmonizuar ato me zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit dhe
të rajoneve të veçanta të tij;
- të përcaktojë mekanizmat ligjorë, administrativë,
financiarë dhe institucionalë në fushën e shkencës e të
teknologjisë për të arritur përdorimin sa më efikas të
potencialeve shkencore e teknologjike të vendit;
- të përcaktojë drejtimet dhe objektivat e përmirësimit të
vazhdueshëm të strukturës së rrjetit të institucioneve shkencore
dhe të fuqizimit të universiteteve si qendra të veprimtarisë
shkencore dhe të zhvillimit teknologjik;
- të forcojë lidhjet funksionale dhe operacionale të
veprimtarisë shkencore e të zhvillimit teknologjik me kërkesat e
ekonomisë së tregut;
- të përcaktojë shpenzimet publike për veprimtarinë
shkencore e teknologjike;
- të stimulojë integrimin e veprimtarisë kombëtare të
kërkimit e të zhvillimit në veprimtarinë shkencore dhe
teknologjike botërore;
- të nxitë veprimtarinë shkencore e teknologjike në nivel
rajonal;
- të nxitë procesin e privatizimit në veprimtarinë
shkencore dhe të zhvillimit teknologjik;
- të përcaktojë objektiva për përgatitjen dhe kualifikimin
e personelit të nevojshëm për kërkim e zhvillim dhe formimin e
personelit drejtues të tyre.

Neni 8

Miratimi i politikës shkencore dhe teknologjike

Politika shkencore dhe teknologjike përgatitet nga Komiteti i
Shkencës dhe i Teknologjisë, në bashkëpunim me Akademinë e
Shkencave, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, me
pjesëmarrjen e institucioneve shkencore dhe të shkollave të larta
dhe paraqitet në Këshillin e Politikës Shkencore dhe të
Zhvillimit Teknologjik, i cili bashkë me mendimin e tij ia kalon
Këshillit të Ministrave për ta përfshirë në programet e qeverisë
për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit.

Neni 9

Programet kombëtare të kërkimit dhe të zhvillimit

Për të realizuar objektivat e politikës shkencore dhe
teknologjike hartohen programe kombëtare të kërkimit dhe të
zhvillimit.
Programet kombëtare të kërkimit dhe të zhvillimit
përcaktojnë:
- objektivat e kërkimit dhe të zhvillimit në fushën
përkatëse;
- institucionet dhe ekipet shkencore përgjegjëse dhe
bashkëpunëtore, duke përfshirë, eventualisht, edhe ato të huaja;
- përmirësimet infrastrukturore për arritjen e objektivave
të caktuara;
- fondet buxhetore dhe, eventualisht, ekstrabuxhetore;
- rezultatet e pritshme dhe afatet përkatëse.

Neni 10

Miratimi i programeve kombëtare të kërkimit dhe të zhvillimit

Komiteti i Shkencës dhe i Teknologjisë, në bazë të
objektivave të politikës shkencore e teknologjike të miratuar,
shpall fushat përparësore, për të cilat do të hartohen programe
kombëtare të kërkimit dhe të zhvillimit. Propozime për hartimin e
këtyre programeve paraqesin shkollat e larta, Akademia e
Shkencave, ministritë me institucionet kërkimore-shkencore të
tyre e të tjerë.
Propozimet e paraqitura shqyrtohen dhe vlerësohen duke
përdorur ekspertizën e pavarur.
Komiteti i Shkencës dhe i Teknologjisë përgatit dhe i
paraqet për miratim Këshillit të Politikës Shkencore dhe të
Zhvillimit Teknologjik programet kombëtare të kërkimit e të
zhvillimit.
Komiteti i Shkencës dhe i Teknologjisë nxjerr udhëzime për
procedurat e përgatitjes, të paraqitjes, të vlerësimit dhe të
miratimit të programeve kombëtare të zhvillimit dhe të kërkimit.

Neni 11

Projektet e kërkimit dhe të zhvillimit

Për të zbatuar programet kombëtare të kërkimit dhe të
zhvillimit hartohen projekte të kërkimit dhe të zhvillimit.
Komiteti i Shkencës dhe i Teknologjisë lëshon udhëzime për
mënyrën e hartimit, të vlerësimit dhe të miratimit të projekteve
të kërkimit e të zhvillimit.

KREU II

INSTITUCIONE SHKENCORE

Neni 12

Përcaktimi i institucioneve shkencore

Institucione shkencore shtetërore janë:
1. Universitetet, shkollat e larta dhe institutet kërkimore
në përbërje të tyre.
2. Institutet dhe qendrat shkencore të Akademisë së
Shkencave.
3. Institutet dhe qendrat shkencore të ministrive, të
Komitetit të Shkencës e të Teknologjisë dhe të institucioneve
qendrore.
4. Qendrat kombëtare të kërkimeve.

Neni 13

Statuti juridik

1. Ngritja, shkrirja, bashkimi ose ndarja e institucioneve
shkencore shtetërore që përcaktohen në nenin 12 (pika 2,3 e 4)
bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, në bazë të propozimit
të ministrive e të institucioneve qendrore, pasi të jetë marrë
mendimi i Komitetit të Shkencës dhe të Teknologjisë, i Ministrisë
së Financave dhe i Këshillit të Politikës Shkencore e të
Zhvillimit Teknologjik.
Për institucionet që përcaktohen në nenin 12, pika 1,
veprohet në bazë të ligjit për arsimin e lartë.
2. Institucionet që përcaktohen në nenin 12 janë persona
juridikë.
3. Universitetet e shkollat e larta dhe Akademia e
Shkencave gëzojnë të drejtën e autonomisë në kuadrin e këtij
ligji, si dhe të ligjit për arsimin e lartë dhe të statutit të
Akademisë së Shkencave përkatësisht.

Neni 14

Detyrat e institucioneve shkencore

Institucionet e përcaktuara në nenin 12 i shërbejnë në
mënyrë të vazhdueshme zhvillimit të shkencës e të teknologjisë në
fushat përkatëse, transferimit të teknologjisë, kualifikimit të
pandërprerë të personelit të tyre dhe formimit të shkencëtarëve
të rinj. Ato duhet të zgjidhin edhe detyra të veçanta që i dalin
vendit.

Neni 15

Programimi dhe raportimi

1. Institucionet e përcaktuara në nenin 12 hartojnë plane
zhvillimi që përmbajnë detyrat dhe ecurinë perspektive në tërësi
dhe të njësive përbërëse të tyre, në veçanti synimet dhe
objektivat kërkimorë e zhvillimorë, angazhimin dhe
kërkesat për personelin dhe vendet e punës, shfrytëzimin dhe
nevojat për mjetet shkencore dhe mjediset e punës.
2. Mbi bazën e planeve të zhvillimit hartohen plane pune
njëvjeçare për zhvillimin e veprimtarisë së institucionit.
3. Për veprimtarinë e kryer institucionet raportojnë në
ministri ose në institucionin qendror përkatës në fund të vitit
kalendarik.

Neni 16

Mbikqyrja

1. Institucionet e përcaktuara në nenin 12 i nënshtrohen
mbikëqyrjes nga shteti, veçanërisht për çështjet e buxhetit dhe
ato ekonomike (përdorimi i mjeteve shtetërore buxhetore, vendet e
personelit, administrimi i pasurive, llogaria e financat,
investimet). Për çështjet, të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejtë
me kërkimin shkencor e zhvillimin teknologjik, mbikëqyrja e
shtetit kufizohet vetëm në aspektet juridike (respektimin e
akteve ligjore e nënligjore dhe të marrëveshejve e kontratave
përkatëse).
2. Mbikëqyrja e shtetit ushtrohet nëpërmjet ministrive ose
institucionit qendror përkatës. Këshilli i Ministrave vendos
rregulla për këtë qëllim.

Neni 17

Universitetet dhe shkollat e larta

Universitetet dhe shkollat e larta, si dhe njësitë
shkencore në përbërje të tyre, organizohen, drejtohen dhe
funksionojnë si institucione shkencore në bazë të ligjit për
arsimin e lartë dhe të neneve të tjera të këtij ligji.

Neni 18

Akademia e Shkencave

1. Akademia e Shkencave të Shqipërisë (më tej Akademia),
është institucion qendror shkencor kombëtar, që përfshin në
sistemin e vet institucione shkencore dhe Asamblenë.
2. Akademia është person juridik në varësi të Këshillit të
Ministrave.
3. Akademia ka për detyrë:
- të kryejë kërkime shkencore fondamentale dhe aplikative
në fusha të ndryshme të shkencave sociale, humanitare, natyrore e
albanologjike;
- të kujdeset për të hapur fusha të reja të kërkimeve
shkencore, në përputhje me nevojat e vendit;
- t'u parashtrojë organeve shtetërore çështje të
rëndësishme për gjendjen e kërkimit shkencor e të zhvillimit
teknologjik në fusha të ndryshme për rrugët e zhvillimit të
shkencës e të kulturës;
- të punojë për përfshirjen sa më të frytshme të shkencës
shqiptare në shkencën botërore.
4. Asambleja e Akademisë përbëhet nga anëtarë dhe anëtarë-
korrespondentë të Akademisë, që zgjidhen ndër shkencëtarët më të
shquar dhe përfaqësues më në zë të kulturës së vendit. Numri i
anëtarëve dhe i anëtarëve korrespondentë të Akademisë miratohet
nga Këshilli i Ministrave.
Akademia ka edhe anëtarë nderi.
5. Për drejtimin e veprimtarisë së institucioneve shkencore
të Akademisë krijohet Këshilli Drejtues i Akademisë, i cili
përbëhet nga kryetari, zëvendëskryetarët, sekretari shkencor dhe
drejtorët e institucioneve shkencore të Akademisë.
6. Akademia ka statutin e vet, i cili miratohet nga
Këshilli i Ministrave. Statuti përmban rregullat e zgjedhjes së
anëtarëve të Asamblesë, organizimin, drejtimin e funksionimin e
institucioneve shkencore e të organizmave të tjera etj.

Neni 19

Institucionet shkencore të ministrive dhe të
institucioneve qendrore

1.Institucionet shkencore të sistemit të ministrive dhe të
institucioneve qendrore kryejnë veprimtari kërkimore, zhvillimore
dhe projektuese, kryesisht aplikative, në fushat përkatëse për
njohjen dhe përdorimin e pasurive natyrore, për zhvillimin e
transferimin e teknologjive, për futjen e prodhimeve të reja etj.
Drejtimet themelore të veprimtarisë së institucionit përcaktohen
në vendimin për krijimin e tij.
2. Në strukturën organizative të këtyre institucioneve mund
të ketë departamente, sektorë, njësi kërkimore, zhvillimore e
projektuese, njësi shërbimi shkencor e teknologjik për
transferimin e teknologjisë dhe futjen e prodhimeve të reja,
sektorë marketingu sipas natyrës dhe specifikës së tij. Struktura
organizative e institucionit propozohet nga Këshilli Drejtues i
tij dhe miratohet nga ministri përkatës.

Neni 20

Organet drejtuese të institucioneve shkencore të
ministrive dhe të institucioneve qendrore

1. Organet drejtuese të institucioneve shkencore të
përcaktuara në nenin 12 (pika 2,3 e 4), janë Këshilli Drejtues
dhe drejtori.
2. Këshilli Drejtues përbëhet nga drejtori i institucionit
shkencor, punonjës shkencorë e administrativë të institucionit
dhe, si rregull, edhe përfaqësues të njësive, që kryejnë
veprimtari ekonomike që lidhen me institucionin.
Numri dhe përbërja e Këshillit Drejtues miratohet nga
ministri ose titullari i institucionit qendror përkatës mbi bazën
e propozimit të institucionit.
Kryetar i Këshillit Drejtues është drejtori i
institucionit.
3.a) Këshilli Drejtues shqyrton dhe miraton:
- planin e zhvillimit të institucionit;
- problemet e financimit dhe të planit financiar të
institucionit;
- problemet e vendeve të punës dhe çështjet sociale që
lidhen me kushtet e punës;
- raportimet e drejtorit për ecurinë e planit të zhvillimit
dhe realizimin e planit financiar të institucionit.
b) Këshilli Drejtues shqyrton dhe jep mendime për:
- strukturën organizative të institucionit;
- rregulloren e institucionit.
4. Drejtori
- organizon, drejton dhe përgjigjet për punën e
institucionit;
- përfaqëson institucionin në të gjitha marrëdhëniet
juridike;
- thërret dhe drejton mbledhjet e Këshillit Drejtues e të
Këshillit Shkencor dhe zbaton vendimet e tyre;
- bën emërimin e punonjësve në bazë të rezultateve të
konkursit;
- jep urdhra e udhëzime dhe vendos sanksione në përputhje
me legjislacionin në fuqi;
- raporton përpara Këshillit Drejtues për ecurinë e planit
të zhvillimit dhe për realizimin e planit financiar të
institucionit;
- raporton përpara Këshillit Shkencor për realizimin e
planeve të punës për kryerjen e veprimtarisë kërkimore e
zhvillimore të institucionit;
- raporton përpara ministrisë ose institucionit qendror
përkatës në fund të vitit kalendarik.
5. Drejtori emërohet nga ministri ose titullari i
institucionit qendror përkatës me propozimin e Këshillit Drejtues
të jo më pak se dy kandidatëve, për një afat trevjeçar të
përsëritshëm vetëm njëherë.

Neni 21

Këshilli shkencor

1. Në çdo institucion shkencor, që përcaktohet në nenin 12
(pika 2,3 e 4) ngrihet dhe funksionon Këshilli Shkencor.
a) Këshilli Shkencor shqyrton dhe miraton:
- projektet e kërkimit dhe të zhvillimit të institucionit
dhe ato ku institucioni është bashkëpunëtor;
- studimet e kryera në përfundim e zbatim të projekteve;
- marrëveshjet e bashkëpunimit shkencor e teknologjik me
institucione të tjera të vendit e të huaja;
- raportin e drejtorit për realizimin e planeve të punës
për kryerjen e veprimtarisë kërkimore dhe zhvillimore të
institucionit.
b) Këshilli Shkencor shqyrton dhe jep mendim:
- për programet kombëtare në të cilat përfshihet
institucioni, duke ia përcjellë ministrisë ose institucionit
qendror përkatës;
- për probleme të kualifikimit dhe të specializimit
shkencor, që përfshihen në planin e zhvillimit të institucionit;
- për analizën dhe vlerësimin e veprimtarisë kërkimore dhe
zhvillimore të institucionit të kryer nga vetë institucioni ose
nga organizma jashtë tij;
- për probleme të tjera, në veçanti për probleme që lidhen
me studime e investime në fusha që mbulon institucioni, kur këtë
e kërkon ministri a titullari i institucionit qendror përkatës,
ose Komiteti i Shkencës dhe i Teknologjisë, ose Këshilli i
Politikës Shkencore dhe të Zhvillimit Teknologjik.
2. Këshilli Shkencor përbëhet nga anëtarë të brendshëm dhe
të jashtëm. Anëtarët e brendshëm zgjidhen me votim të fshehtë nga
punonjësit shkencorë të institucionit. Anëtarët e jashtëm, që
përbëjnë jo më shumë se një të tretën, propozohen nga drejtori i
institucionit.
Emërimet e anëtarëve të Këshillit Shkencor bëhen nga
ministri ose titullari i institucionit qendror përkatës për një
afat trevejçar të përsëritshëm.
3. Drejtori i institucionit është kryetar i Këshillit
Shkencor.

Neni 22

Rregullorja

Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore miratojnë
rregulloret e organizimit dhe të funksionimit të institucioneve
të sistemit të tyre, në bazë të këtij ligji dhe udhëzimeve të
Komitetit të Shkencës dhe të Teknologjisë, me përjashtim të
institucioneve të përcaktuara në nenin 12, pika 1, për të cilat
veprohet në bazë të ligjit "Për arsimin e lartë".

Neni 23

Qendra Kombëtare të kërkimit shkencor

Qendra kombëtare të kërkimit shkencor ngrihen sipas
procedurës së caktuar në nenin 13, pika 1. Statuti i qendrave të
tilla miratohet nga Këshilli i Ministrave.

Neni 24

Veprimtaria fitimprurëse e institucioneve shkencore

Institucionet shkencore të përcaktuara në nenin 12 kanë të
drejtë që brenda kuadrit të detyrave themelore e të
specialiteteve të tyre të zhvillojnë veprimtari shkencore e
teknologjike (studime, projektime, ekspertiza, kurse etj.) për të
tretë (firma e persona juridikë e fizikë shtetërorë e privatë të
vendit e të huaj), për të siguruar burime financimi që
administrohen në bazë të dispozitave në fuqi.

Neni 25

Institucione të përbashkëta dhe ndërkombëtare

1. Institucione shkencore të përbashkëta me persona
juridikë e fizikë të huaj krijohen sipas legjislacionit shqiptar.
2. Qendra shkencore dhe teknologjike ndërkombëtare ngrihen
me kërkesën e një organizmi ose shoqate ndërkombëtare, me ose pa
bashkëpunimin e një institucioni shqiptar, me miratim të
Këshillit të Ministrave. Funksionimi i tyre rregullohet me
marrëveshje të përbashkët.

Neni 26

Lidhjet ndërkombëtare

1. Institucionet shkencore të përcaktuara në nenin 12
vendosin lidhje e lidhin marrëveshje me institucione shkencore të
vendeve të tjera ose ndërkombëtare në kuadrin e marrëveshjeve
shtetërore të bashkëpunimit.
2. Këto institucione, brenda kuadrit të detyrave themelore
që kanë, vendosin lidhje e marrëveshje të drejtpërdrejta
bashkëpunimi me institucione të vendeve të tjera dhe
ndërkombëtare.

KREU III

ORGANET E DREJTIMIT

Neni 27

Këshilli i Politikës Shkencore dhe i Zhvillimit
Teknologjik

1. Pranë Këshillit të Ministrave krijohet Këshilli i
Politikës Shkencore dhe i Zhvillimit Teknologjik. Ky Këshill:
a) Përcakton dhe drejton politikën shkencore e teknologjike
të përshtatshme për zhvillimin socialekonomik të vendit.
b) Miraton drejtimet dhe përparësitë e politikës shkencore
e teknologjike dhe programet kombëtare të kërkimit e zhvillimit.
c) Jep mendim për projektligjet dhe projekvendimet për
veprimtarinë shkencore dhe teknologjike, që i paraqiten për
miratim Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave.
ç) Bën vlerësimin periodik të arritjeve të politikës
shkencore e teknologjike.
d) Cakton detyra për organet shtetërore lidhur me
zhvillimin e përdorimin e potencialeve shkencore.
dh) Krijon komisione e grupe pune të përhershme ose të
përkohshme për probleme të caktuara.
2. Këshilli i Politikës Shkencore dhe i Zhvillimit
Teknologjik përbëhet nga titullarë të ministrive e të
institucioneve qendrore dhe shkencëtarë të shquar. Numri i
anëtarëve nuk duhet të jetë më i madh se 15.
3. Kryetar i Këshillit është kryetari i Këshillit të
Ministrave. Me vendim të kryetarit përcaktohen përbërja e
Këshillit të Politikës Shkencore e të Zhvillimit Teknologjik,
problematika që do të shqyrtojë dhe rregullorja e funksionimit të
tij.

Neni 28

Komiteti i Shkencës dhe i Teknologjisë

1. Komiteti i Shkencës dhe i Teknologjisë është organ
përgjegjës qeveritar për shkencën dhe teknologjinë.
Detyrat dhe kompetencat kryesore të tij janë:
a) Përgatit politikën shkencore e teknologjike dhe
programet kombëtare të kërkimit e të zhvillimit që lidhen me të,
të cilat ia paraqet Këshillit të Politikës Shkencore dhe të
Zhvillimit Teknologjik dhe ndjek zbatimin e tyre.
b) Përgatit dhe u paraqet për miratim organeve kompetente
propozime për zhvillimin dhe përmirësimin e sistemit të drejtimit
të shkencës e të teknologjisë në aspektet institucionale,
financiare e legjislative.
c) Studion dhe përcakton masa, në bashkëpunim me ministritë
dhe institucionet e tjera qendrore, për inkurajimin e zhvillimit
dhe transferimin e teknologjisë.
ç) Në bashkëpunim me ministritë dhe Akademinë e Shkencave,
përgatit dhe i propozon Këshillit të Ministrave projektbuxhetin e
shtetit për veprimtarinë shkencore dhe teknologjike. Disponon dhe
shpërndan fondet për veprimtarinë që mbulon vetë, fondet për
projekte me bazë konkurrimi, fondet për veprimtarinë sipas
marrëveshjeve të bashkëpunimit tekniko-shkencor me shtetet dhe
organizatat ndërkombëtare që mbulon vetë, si dhe disponon një
fond rezervë për veprimtari e projekte të rëndësishme të
paparishikuara.
d) Studion, propozon dhe merr masa për zgjerimin e
pjesëmarrjes së vendit në bashkëpunimin ndërkombëtar në shkencë e
teknologji.
dh) Inkurajon përgatitjen dhe kualifikimin e shkencëtarëve
për zhvillimin e veprimtarisë shkencore e teknologjike dhe të
ekonomisë e të kulturës, veçanërisht të shkencëtarëve të rinj.
e) Analizon e vlerëson rezultatet e veprimtarisë shkencore
e teknologjike dhe rolin e saj në zhvillimin e vendit dhe
përgatit raportin përkatës.
ë) Nxjerr rregullore e udhëzime për veprimtarinë shkencore
e teknologjike të detyrueshme për organet dhe organizmat
shtetërorë.
2. Struktura organizative dhe mënyra e funksionimit të
Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë përcaktohen nga kryetari i
Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë.
3. Pranë Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë krijohen
komisione këshillimore. Përbërja dhe detyrat e tyre miratohen nga
kryetari i Komitetit të Shkencës dhe të Teknologjisë.

Neni 29

Ministritë dhe institucionet qendrore

Ministritë dhe institucionet qendrore organizojnë dhe
drejtojnë veprimtarinë shkencore dhe teknologjike në
institucionet shkencore të sistemit të tyre në bazë të këtij
ligji dhe të akteve ligjore e nënligjore.

KREU IV

FINANCIMI DHE MJETET KRYESORE

Neni 30

Burimet e financimit

1. Mjete financiare për veprimtarinë shkencore dhe
teknologjike të institucioneve shkencore të përcaktuara në nenin
12 krijohen nga:
a) buxheti i shtetit;
b) bashkëpunimi tekniko-shkencor ndërkombëtar;
c) kryerja e veprimtarive shkencore e teknologjike
(studime, projekte, shërbime etj.) për të tretët, firma e persona
juridikë e fizikë shtetërorë e privatë të vendit dhe të huaj;
ç) veprimtaria e njësive prodhuese dhe e bazave
eksperimentale të institucioneve;
d) fondacione e donatorë të ndryshëm;
dh) patentat e shpikjet;
e) veprimtari të tjera në mbështetje të veprimtarisë
shkencore dhe të zhvillimit teknologjik.
2. Institucionet shkencore janë të detyruara:
- të sigurojnë një përdorim efektiv të fondeve buxhetore;
- të sigurojnë mundësi aplikimi të rezultateve të
veprimtarisë së tyre.
3. Mjetet e vëna në dispozicion të institucioneve shkencore
nga organizma joshtetërorë ose organizma ndërkombëtarë, përdoren
vetëm për përmbushjen e detyrave të caktuara të institucioneve.

Neni 31

Mënyrat e financimit

1. Buxheti i shtetit për veprimtarinë shkencore e
teknologjike është zë i buxhetit të shtetit me emërtim të
veçantë.
2. Mënyra e hartimit, miratimit, pasqyrimit dhe raportimit
të shpenzimeve të buxhetit të shtetit për veprimtarinë shkencore
e teknologjike dhe e të ardhurave të institucioneve shkencore
përcaktohet me udhëzim të Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë
dhe të Ministrisë së Financave.
3. Institucionet shkencore të përcaktuara në nenin 12
raportojnë edhe për përdorimin e të ardhurave nga burime
jobuxhetore.
4. Financimi për veprimtarinë shkencore dhe teknologjike
nga buxheti i shtetit kryhet si financim institucional dhe si
financim problemor.

Neni 32

Favorizime financiare

Shteti favorizon me anë të sistemit të taksave, tatimeve e
kreditimeve zhvillimin e veprimtarisë shkencore e teknologjike:
a) të institucioneve shtetërore për të rritur nivelin e
financimit nga burime të tjera, në raport me financimin nga
buxheti i shtetit;
b) të firmave private, të instituteve, të individëve e të
grupeve shkencore private, kur ato marrin pjesë drejtpërdrejt në
veprimtari shkencore e teknologjike ose financojnë për këtë
veprimtarisë institucionet shkencore shtetërore.
Masat dhe format e këtij favorizimi përcaktohen me ligj.

Neni 33

Mjetet kryesore

Mjetet kryesore (godina, makineri, pajisje etj.)
administrohen sipas dispozitave në fuqi. Ato nuk mund t'i merren
institucionit ose të përdoren për qëllime të tjera përveçse me
urdhër të Kryetarit të Këshillit të Ministrave ose të ministrit
përkatës, pasi të ketë marrë përkatësisht mendimin e ministrit
ose të këshillit drejtues të institucionit përkatës.

KREU V

PERSONELI

Neni 34

Përbërja e personelit

Personeli i angazhuar me punë në institucionet e
përcaktuara në nenin 12 (pika 2,3 e 4) përbëhet nga:
- personeli shkencor;
- personeli teknik;
- personeli administrativ.
Personeli i shkollave të larta rregullohet me ligjin e
arsimit të lartë.

Neni 35

Personeli shkencor

Në personelin shkencor përfshihen punonjës që kanë
përgatitje të lartë arsimore dhe profesionale për të punuar për
konceptimin, drejtimin dhe kryerjen e veprimtarive shkencore e
teknologjike, sipas kërkesave specifike të miratuara nga
institucionet shkencore përkatëse.

Neni 36

Personeli teknik

Në personelin teknik përfshihen punonjës me arsim të lartë
ose të mesëm, që kanë përgatitjen profesionale të duhur për të
kontribuar në veprimtarinë shkencore e teknologjike nën
udhëheqjen e personelit shkencor, sipas kërkesave specifike të
miratuara nga institucionet shkencore përkatëse.

Neni 37

Personeli administrativ

Në personelin administrativ përfshihen punonjës, si
rregull, me arsim të lartë ose të mesëm, të cilët përballojnë
detyra të funksionimit e të shërbimit, që mbështetin veprimtari
shkencore dhe teknologjike (administratë, financë, ruajtje,
mirëmbajtje etj.), sipas kërkesave të miratuara nga institucionet
shkencore përkatëse.

Neni 38

Marrja në punë

Marrja në punë e personelit shkencor, teknik e
administrativ, si rregull, bëhet me konkurs të shpallur
publikisht nga institucionet shkencore përkatëse për vendet
disponibël.
Format dhe procedurat e konkurseve e të kontratave
përcaktohen në bazë të udhëzimeve të lëshuara nga Komiteti i
Shkencës dhe i Teknologjisë.

Neni 39

Emërtimet

1. Punonjësit që përfshihen në personelin shkencor të
institucioneve shkencore, emërtohen sipas vendeve të punës në
bazë të shkallës së kualifikimit dhe rezultateve të konkursit.
Kriteret dhe procedurat për emërtimet sipas kategorive të
vendeve të punës përcaktohen në vendime të Këshillit të
Ministrave dhe në udhëzime të Komisionit të Kualifikimit
Shkencor.
2. Punonjësit që përfshihen në personelin teknik emërtohen
sipas kategorive të vendeve të punës.
Kriteret dhe procedurat për emërtimet përcaktohen në
rregulloren e institucionit.
3. Personeli administrativ emërtohet sipas emërtimit të
vendit të punës që ka, në bazë të përcaktimeve që përmban
organika e institucionit përkatës.

Neni 40

E drejta e organizimit në shoqata

Personeli i institucioneve të përcaktuara në nenin 12 ka të
drejtë të organizohet në shoqata shkencore e teknike vullnetare
dhe të bëhet anëtar në shoqata shkencore e teknike ndërkombëtare,
ose të vendeve të tjera sipas dispozitave në fuqi.

Neni 41

Liria e personelit shkencor për kërkimin dhe zhvillimin

Personeli shkencor i institucioneve të përcaktuara në nenin
12 është i lirë në zgjedhjen e metodave të kërkimit e të
zhvillimit, në qoftë se në dokumentet përkatëse të miratuara, në
bazë të të cilave ai punon (programe, projekte, detyra, kontrata
etj.), nuk është thënë ndryshe.

Neni 42

E drejta e kualifikimit

Personeli i institucioneve të përcaktuara në nenin 12, në
radhë të parë personeli shkencor, ka të drejtë të kualifikohet e
të specializohet brenda e jashtë vendit. Institucioni përkatës në
bazë të dispozitave ligjore, krijon kushte për këtë (si
pjesëmarrje në shpenzimet, ruajtje të vendit të punës, dhënie
leje të pagueshme ose jo etj.).
Kujdes i veçantë tregohet për kualifikimin dhe
specializimin e punonjësve të rinj.

KREU VI

VLERESIMI I VEPRIMTARISE SHKENCORE DHE TEKNOLOGJIKE

Neni 43

Vlerësimi i programeve kombëtare

Programet kombëtare të kërkimit dhe të zhvillimit
teknologjik janë objekt i vlerësimit në bazë të kritereve të
përcaktuara para zbatimit të tyre.
Bilanci i rezultateve shkencore, teknologjike, ekonomike e
shoqërore të programeve bëhet pas përfundimit të tyre. Për ato që
vazhdojnë më shumë se një vit, ky kryhet edhe çdo dy vjet pas
fillimit të zbatimit.

Neni 44

Vlerësimi i institucioneve shkencore

Veprimtaria e institucioneve shkencore të përcaktuara në
nenin 12 është objekt i vlerësimeve periodike nga ministria ose
Akademia e Shkencave sipas përkatësisë dhe, sipas nevojës, edhe
nga Komiteti i Shkencës dhe i Teknologjisë.

Neni 45

Raportimi

Komiteti i Shkencës dhe i Teknologjisë, mbi bazën edhe të
raportimeve vjetore të ministrive, të institucioneve qendrore dhe
të Akademisë së Shkencave, i paraqet çdo vit Këshillit të
Politikës Shkencore e të Zhvillimit Teknologjik një raport për
veprimtarinë kërkimore dhe të zhvillimit teknologjik, që pasqyron
rezultatet më kryesore të politikës shkencore dhe teknologjike.
Ky raport bën veçanërisht bilancin:
- e zbatimit të programeve kombëtare të kërkimit e të
zhvillimit teknologjik;
- e rezultateve të arritura nga bashkëpunimi shkencor e
teknologjik me organizatat ndërkombëtare dhe shtetet;
- e zhvillimit të informacionit;
- e gjendjes së personelit të kërkimit;
- e përdorimit të fondeve nga buxheti i shtetit;
- e veprimtarive dhe rezultateve të arritura në bashkëpunim
ndërmjet institucioneve shkencore dhe ndërmarrjeve shtetërore e
private.

Neni 46

Ekspertiza

1. Ekspertiza e pavarur, si pjesë e pandarë e veprimtarisë
shkencore e teknologjike, bëhet në të gjitha nivelet dhe etapat e
saj: gjatë caktimit të drejtimeve kryesore të politikës shkencore
e teknologjike, gjatë hartimit të programeve kombëtare të
kërkimit e zhvillimit teknologjik dhe projekteve që rrjedhin prej
tyre, gjatë konkurrimit për të siguruar pjesëmarrje në këto
programe e projekte dhe gjatë zbatimit të tyre.
2. Ekspertiza e pavarur kryhet nga shkencëtarë dhe
specialistë. Në cilësinë e ekspertëve mund të angazhohen edhe
organizma ekspertize e specialistë të huaj. Në ekspertizë nuk
mund të angazhohen specialistë që kanë marrë pjesë në formulimin
e programit a projektit për të cilin bëhet ekspertiza, ose
specialistë që kanë interesa personale në to.
3. Angazhimi i specialistëve dhe organizmave shkencorë në
ekspertizë bëhet mbi bazën e kontratës, në të cilën përcaktohen
kushtet e kryerjes së ekspertizës. Shpenzimet për bërjen e
ekspertizave përfshihen në shpenzimet për financimin e
veprimtarisë shkencore e teknologjike.
4. Institucionet shkencore që financohen nga buxheti i
shtetit, mund të angazhohen nga organet ligjvënëse dhe qeveritare
për ekspertizën e programeve kombëtare të kërkimit e të
zhvillimit pa pagesë.
5. Mënyra e kryerjes së ekspertizës dhe përgjegjësia për
cilësinë e saj përcaktohen me udhëzime të Komitetit të Shkencës
dhe të Teknologjisë.

KREU VII

DISPOZITA TE FUNDIT

Neni 47

Çmime dhe shpërblime shkencore

Për vlerësimin publik dhe nxitjen e veprimtarive shkencore
e teknologjike jepen çmime dhe shpërblime.
Ministritë, Akademia e Shkencave dhe universitetet japin
çmime dhe shpërblime shkencore sipas rregullave përkatëse, që
miratohen me akte nënligjore.

Neni 48

Fondacione shkencore

Për nxitjen dhe mbështetjen e veprimtarisë shkencore dhe
teknologjike krijohet Fondacioni Kombëtar për Shkencën e
Teknologjinë me fonde të vëna në dispozicion të tij nga Këshilli
i Ministrave dhe të plotësuara nga fonde të organizmave të tjera
private e publike të vendit ose të huaja. Ngritja dhe funksionimi
i këtij fondacioni dhe i fondacioneve të tjera që mund të
krijohen rregullohet sipas dispozitave të Kodit Civil.

Neni 49

Informimi i opinionit publik

Opinioni publik informohet nga institucionet shkencore, nga
Komiteti i Shkencës dhe i Teknologjisë, nga ministritë dhe nga
institucionet qendrore për veprimtarinë shkencore dhe
teknologjike të zhvilluar nëpërmjet:
- shpalljes së programeve shkencore kombëtare;
- raportimeve (periodike, vjetore ose të herpashershme) për
rezultatet e veprimtarisë kërkimore e zhvillimore dhe për
shpenzimet e kryera;
- publikimeve përkatëse.

Neni 50

Botimet

Institucionet shkencore të përcaktuara në nenin 12 botojnë
rezultatet e punës kërkimore e zhvillimore në revista shkencore,
përmbledhje punimesh, monografi etj.
Shteti kujdeset dhe mbështet veprimtarinë botuese të
institucioneve shkencore, duke subvencionuar në rast nevoje
botimet më të rëndësishme. Vendimin për subvencionimin e merr
ministri ose titullari i institucionit qendror përkatës në bazë
të kërkesës së institucionit të interesuar.

Neni 51

Institucione shkencore private

Institucione shkencore private mund të ngrihen duke marrë
parasysh parimet e këtij ligji dhe të akteve të tjera ligjore e
nënligjore.

Neni 52

Ristrukturimi dhe vlerësimi

Brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Akademia e
Shkencave dhe ministritë, në bashkëpunim me Komitetin e Shkencës
dhe të Teknologjisë, bëjnë vlerësimin e institucioneve shkencore
për të përcaktuar objektivat, detyrat, strukturat e reja dhe
përkatësinë e tyre.

Neni 53

Plotësime me akte nënligjore

Brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, hartohen
aktet nënligjore dhe udhëzimet që përcaktohen në këtë ligj sipas
përkatësisë.

Neni 54

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren
Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.1001, datë 30.12.1994 të Presidentit të Republikës së
Shqipërisë, Sali Berisha.

 

 

VENDIM
Nr.343, date 5.6.1998

PËR KALIMIN NË VARTËSI TË MINISTRISË SË DREJTËSISË TË SHËRBIMIT TË EKSPERTIMIT MJEKOLIGJOR

Në zbatim të nenit 1 shkronja "e" dhe të nenit 2 të Iigjit nr.7831, datë 9.5.1990 "Për
krijimin e Ministrisë së Drejtësisë", me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shërbimi i ekspertimit mjekoligjor kalon nga vartësia e Ministrisë së Shëndetësisë në vartësi të Ministrisë së Drejtësisë.
2. Ministrisë së Shëndetësisë i pakësohen 22 veta nga numri i përgjithshëm i punonjësve, të cilët i shtohen Ministrisë së Drejtësisë.
3. Mjetet kryesore dhe pajisjet e derisotshme në dispozicion të shërbimit të ekspertizës mjekoligjore kalojne si fond i Ministrisë së Drejtësisë.
4. Fondet buxhetore, të miratuara për këtë shërbim në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 1998, transferohen në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.
5. Ne strukturën organizative të Ministrisë së Drejtësisë krijohet sektori i shërbimit të ekspertizës gjyqësore, për drejtimin dhe kontrollin administrativ të shërbimit.
6. Ekspertimi mjekoligjor realizohet nga shërbimi qendror mjekoligjor, me qender në Tiranë, nga shërbimi mjekoligjor në rrethet ku kanë qendrën gjykatat e apelit dhe ekspertët e jashtëm në rrethet e tjera. Struktura dhe përberja e këtij shërbimi përcaktohet nga Ministri i Drejtësisë.
7. Shërbimi qendror i ekspertizës mjekoligjore, veç funksionit të ekspertimit, ka për
detyrë edhe:
a) drejtimin operativ të shërbimit mjekoligjor në rrethe;
b) aftësimin profesional të ekspertëve;
c) organizimin e punës kërkimore studimore.
8. Shërbimi i ekspertizës mjekoligjore kryhet me ekspertë funksionarë dhe ekspertë të jashtëm. Ekspertët funksionare dhe personeli ndihmës, ekzistues kryejnë veprimtarinë në shërbimin qendror të ekspertizës mjekoligjore dhe në rrethet ku e kanë qendrën gjykatat e apelit..
9. Kryeekspertet dhe ekspertet emërohen dhe shkarkohen nga Ministri i Drejtësisë, me propozim të Ministrit të Shëndetësisë, kurse personeli tekniko-administrativ i shërbimit të ekspertizës nga kryeeksperti përkatës.
Ekspertët e jashtëm miratohen nga Ministri i Drejtësisë me propozimin e kryeekspertit të shërbimit qendror dhe aktivizohen me kontratë.
Në shërbimin qendor mjekoligjor mund të aktivizohen si ekspertë të jashtëm dhe pedagogë efektive të Qendrës Spitalore Universitare, specialistë të institucioneve shëndetësore etj.
Ekspertimi mjekoligjor në rrethe të tjera, deri në shtrirjen e plote të shërbimit të ekspertizës, të vazhdojë të kryhet nga mjekët anatomopatologë me cilesinë e ekspertit të jashtëm.
10. Ekspertimi psikiatro-ligjor të vazhdojë të kryhet nga specialistët efektive të institucioneve përkatëse mjekësore, me cilesinë e ekspertëve të jashtëm.
11. Ekspertët e jashtëm shpërblehen për pullën faktike me vlerën e pagesës së një orë pune të ekspertit funskionar sipas normativave të miratuara për çdo lloj veprimi, me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Shëndetësisë. Për veprime të veçanta ekspertimi, mund të zbatohet edhe kriteri i shpërblimit fiks.
12. Ekspertët funksionare të shërbimit mjekoligjor, me miratim të Ministrit të Drejtësisë, mund të lejohen të aktivizohen si pedagogë të jashtëm në institucionet arsimore.
13. Organizimi, kompetencat dhe veprimtaria e shërbimit të ekspertizës mjekoligjore përcaktohen në rregulloren e miratuar nga Ministri i Drejtësisë.
14. Shërbimi i ekspertimit mjekoligjor kryen veprime të ekspertimit me kërkesë të prokurorit, të policisë gjyqësore dhe me vendim të gjykatës lidhur me çështjet në shqyrtim.
Me kërkesë të personave të proçeduar penalisht, palëve në proçesin civil, mbrojtësve ose përfaqësuesve të tyre, kryhen veprime ekspertimi vetëm lidhur me mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të tyre në një hetim ose gjykim të filluar.
15. Ekspertimi realizohet kundrejt shpërblimit nga organi ose subjekti kërkues sipas tarifave të miratuara nga Ministri i Drejtësisë, Ministri i Financave dhe Ministri i Shëndetësisë.
16. Marrëdheniet ndërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe institucioneve të tjera qendrore rregullohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të titullarit përkatës.
17. Marrëdheniet e shërbimit të ekspertizës mjekoligjore me prokurorinë dhe
gjykatën rregullohen në bazë të dispozitave të kodeve të proçedurës penale dhe të asaj civile.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet e tij nga data 1.6.1998.

KRYEMINISTRI
Fatos Nano


 

 

 

 

VENDIM
Nr.120, datë 27.2.2003

PËR KRIJIMIN E INSTITUTIT TË MJEKËSISË LIGJORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 pika 1 dhe 19 pika 1 të ligjit nr.7893, datë 22.12.1994 "Për zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë" dhe të nenit 6 të ligjit nr.8678, datë 14.5.2001 "Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë", me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, sipas strukturave dhe organizimit ekzistues të Shërbimit të Ekspertimit Mjekoligjor.
2. Instituti i Mjekësisë Ligjore është institucion qëndror, buxhetor, në varësi të Ministrit të Drejtësisë.
3. Drejtimet e përgjithshme të veprimtarisë të këtij Instituti janë:
a) Veprimtaria kërkimore-shkencore për zbulimin dhe zbatimin e metodave bashkëkohore në fushën e mjekësisë ligjore.
b) Organizimi dhe drejtimi i veprimtarisë së shërbimeve të ekspertimit mjekoligjor
në Republikën e Shqipërisë.
c) Kryerja e ekspertimeve mjekoligjore, patologjike, toksikologjike, biologjike dhe psikiatrike, si dhe e veprimeve të tjera, sipas rasteve dhe procedurave të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile, Kodin e Procedurës Penale dhe në ligje të veçanta.
ç) Bashkërendimi i veprimtarisë së këtij Instituti me institucionet shëndetësore për parandalimin e veprave penale, që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pacientëve.
d) Përgatitja dhe kualifikimi i vazhdueshëm shkencor i specialistëve të mjekësisë ligjore.
4. Instituti i Mjekësisë Ligjore, sipas ligjit, kryen ekspertime mjekoligjore, me kërkesën e palëve në procesin civil, të subjekteve të procedimit penal dhe të personave të tjerë juridikë, kundrejt pagesës së shpenzimeve dhe të tarifave përkatëse.
5. Tarifat për veprimet dhe shërbimet që kryen Instituti i Mjekësisë Ligjore, masa dhe mënyra e llogaritjes së këtyre shpenzimeve, caktohen me urdhër të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave.
6. Vendimi nr.343, datë 5.6.1998 i Këshillit të Ministrave "Për kalimin në varësi të Ministrisë së Drejtësisë të Shërbimit të Ekspertimit Mjekoligjor", shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Fatos Nano


 

 

 


REPUBLIKA E SHQIPËRISË REPUBLIKA E SHQIPËRISË
MINISTRIA E DREJTËSISË MINISTRIA E SHËNDETËSISË
Nr.2686 Prot., datë 09.05.2001 Nr.2143 Prot., datë 09.07.2001

U D H Ë Z I M

“Mbi koordinimin e punës së shërbimeve mjeko-ligjore në institucionet mjekoligjore”.

Në mbështetje të nenit 102, pika të nenit 118 të Kushtetutës së republikës së shqipërisë, të nenit 1, pika”e” të Ligjit Nr. 7381, datë 09.05.1990 “Për Krijimin e Ministrisë së Drejtësisë, si dhe të akteve të tjera nënligjore,

UDHËZOJMË:

1. Shërbimet e ekspertimit mjeko-ligjor në republikën e Shqipërisë, të koordinojnë punën me instituciopnet shëndetësore, që aktiviteti mjeko-ligjore të përdoret në dobi të forcimit të kontrollit dhe disiplinës shkencore në institucionet shëndetësore, të luftës parandaluese kundër veprave penale, që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pacientëve..

2. Shërbimet mjeko-ligjore në rrethet ku kanë qendrën gjykatat e apeleve (Tiranë, Durrës, Kor- çë, Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër) ku mjekët ligjore janë njëkohësisht edhe anatomo patologë, të realizojnë aktivitetin e tyre edhe në fushën e anatomisë patologjike(autopsitë spitalit, biopsinë etj.) duke shfrytëzuar bazën materiale-teknike dhe mjediset brenda spitaleve.

3. Shërbimet anatomopatologjike në rrethet e tjera krahas aktiviteteve në fushën e anatomisë patologjike në cilësinë e ekspertit të jashtëm kryejë edhe ekspertimet mjeko-ligjore në dobi të organeve të Drejtësisë.

4. Në rastet kur ekspert i jashtëm thirret nga një organ i caktuar për një ekspertim (vajtje në vend ngjarje jashtë rrethit të tij, në gjyq etj) duhet të vërë në dimeni drejtorinë e institucionit qendror nga ku varet. Shpërblimi apo dietat jepen nga organi që i ka kërkuar, në bazë të nenit 485 të Kodit të Proçedurës Penale.

5. Mosmarrëveshjet, që mund të lindin midis ekspertëve të jashtëm dhe organeve të drejtësisë, zgjidhen nga drejtoritë përkatëse të ministrive respektive.

6. Ekspertët mjeko-ligjore, funksionare dhe të jashtëm, me inisiativën e tyre, me kërkesë të drejtorive të institucioneve shëndetësore, e mbi bazën e ankesave të personave dhe të enteve, duhet të aktivizohen në kontrollet periodike të kartelave klinike, të depistojnë rastet kur dyshohet se vdekje e një pacienti ose rendimi i gjëndjes ka ardhur si pasojë e një mjekimi të pakujdesshëm ose nga mosdhënia e ndihmës nga personeli mjekësore dhe sipar rastit konkret të nxisë organizimin e oponencave dhe debateve shkencore nëpërmjet analizave anatomo-klinike.

7. Kur administrohen prova të mjaftueshme se vdekja ose rrezikimi i jetës së një pacienti ka ardhur si pasojë e një mjekimi të pakujdesshëm ose nga mosdhënia e ndihmës nga personeli mjekësor, janë të detyruar të vënë në dijeni drejtorinë e institucionit ose dhë në mënyrë të pavarur, të bëhet kallzimi për ndjekje penale në organet e prokurorisë. Në rastet kur shkeljet mjekësore nuk përmbajnë pasoja të rënda juridike, sipas rastit të bëhet njoftimi pranë Këshillit Disiplinor të Urdhërit të Mjekëve.

8. Në të gjitha rastet e paraqitjes në institucionet shëndetësore të personave të dëmtuar (në dhunimet fizike, abuzime e krime seksuale etj) ose të vdekur nga shkaqe të dhunshme (vrasja, vetvrasje, aksidente), mjeku i rojes duhet menjëherë të lajmërojë Komisariatin e Policisë, dhe prokurorinë brenda territorit ku shtrin funksionin juridiksional për identifikimin e natyrës së traumës dhe fillimin e një investigimi të shpejtë të rrethanave konkrete të ngjarjes.

9. Kur një i sëmurë ndes në një institucion shëndetësor brenda 24-orëve të para të shtrimit pa ju përcaktuar diagnoza ose kur një i sëmurë vdes në këtë institucion dhe familjarët pretendojnë se vdekja ka ardhur si pasojë e një mjekimi të pakujdesshëm ose nga mosdhënia e ndihmës nga personeli mjekësorë, detyrimisht duhet të bllokohet dokumentacioni mjekësorë dhe kufoma t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore.

10. Vdekjet e papritura në personat e rritur me shëndet të mirë në dukje dhe vdekjet e fëmijëve nga 0-1 vjeç në rrethana të paqarta, duhet të konsiderohen vdekje të dyshimta dhe autopsia mjeko-ligjore është e detyrueshme.

11. Në rastet e vdekjeve natyrore ose kur personi njihet si i sëmurë dhe vdes nga shkaqe patologjike, vetëm mjeku i familjes ose një mjek tjetër i autorizuar nga ai, ka të drejtën e përcaktimit juridik të shkakut të vdekjes dhe të lëshojë skedën e vdekjes.

12. Kur një i sëmurë vdes në një institucion mjekësor nga një sëmundje ose proçes patologjik, të drejtën e përcaktimit të shkakut të vdekjes e ka mjeku kurues, i cili nëpërmjet një epikrizë-vdekjeje ja përcjell mjekut të familjes dhe ky i fundit lëshon skedën e vdekjes. Në rastet e vdekjeve me dhunë skedën e vdekjes e lëshon vetëm mjeku ligjor.

13. Për shtrimet në spital të personave që dyshohet se janë të intoksikuar nga lëndë helmuese ose substanca droge, mjeku kurues mund të kërkojë konsulencë ose kryerjen e analizave të ndryshme nga ekspertët toksikologë të laboratorit të toksikologjisë ligjore të Shërbimit Qëndror Mjeko-Ligjor, kundrejt tarifave përkatëse.

14. Të gjithë ekspertët mjeko-ligjorë èpër raste ekspertimesh të kërkuara nga organet e prokurorisë, të drejtësisë, dhe nmë raste verifikimesh nga ankesa të ardhura nga subjekte të tjera jashtë funksionit të hetimit dhe gjykimit, në dijeninë e drejtorisë të institucionit shëndetësor, kanë të drejtën për të parë e studiuar dokumentacionin mjekësor në statistikat e institucionet përkatëse. Në kartelat dentare-odontolograma.

15. Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Shëndetësisë, në kuadrin e bashkëpunimit për çështje mjeko-ligjore me interes të përbashkët, të organizojë konferenca e seminare shkencore për ngritjen e nivelit tekniko-profesional si dhe analizza e studime përgjithësuese në luftë kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit të njeriut dhe forvimit të disiplinës shkencore në institucionet shëndetësore.

16. Ky Udhëzim hyn në fuqi menjëherë.

 

 


 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË REPUBLIKA E SHQIPËRISË
MINISTRIA E DREJTËSISË MINISTRIA E RENDIT PUBLIK
Nr. 6819 Prot., datë 29.12.2000 Nr. 1366 Prot., datë 22.01.2001

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PROKURORIA E PËRGJITHSHME
Nr.11, datë 24.01.2001

 

U D H Ë Z I M

RREGULLA TË DETYRUESHME MBI KQYERJEN E VËNDIT TË NGJARJES,
KRYERJES SË AUTOPSISË, EKZUMIMEVE E ANALIZAVE

Me qëllim që, të forcohet puna në drejtim të zbatimit të rregullave proçeduriale e ligjore, për kryerjen e vendit të ngjarjes, kryerjen e autopsive, analizave, etj., në rastet e ngjrarjeve me viktima, apo kur lind e nevojshme kryerja e ekspertimeve mjeko-ligjore, në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe të neneve 6, 7 e 13 të ligjit Nr. 7830, datë 15.06.1994 “Për Autopsitë”,

U D H Ë Z O J M Ë:

1. Në rastet e ngjarjeve me viktima, të vdekjeve me dhunë të llojeve të ndryshme si: vrasje, vetvrasje, aksident, lezione mekanike, helmime, asfiksi mekanike, veprimi i temperaturave ekstreme, korent elektrik etj., vdekjeve të papritura jashtë ose brenda institucioneve shëndetësore, kur nuk dihet me saktësi shkaku i vdekjes; në vdekjet e fëmijëve të porsalindur, që kanë lindur jashtë institucioneve shëndetësore; në vdekjet e personave të panjohur ose në rastet e kufomave të copëzuara ose të kalbëzuara, etj., është e nevojshme kryerja e detyrueshme e autopsisë.

2. Për rastet e theksuara më lart, organet e prokurorisë, të policisë gjygjësore dhe të ruajtjes së rendit janë të detyruara, të marrin të gjitha masat për ruajtjen e vendit të ngjarjes, fiksimin e gjurmëve dhe provave materiale, sigurimin e transportit të kufomës në morg ose në vendin ku do të kryhet autopsia, sigurimin e personelit mjeko-ligjor gjatë autopsisë dhe sigurimin e transportit të materialeve të marra për ekzaminime plotësuese në laboratorët përkatës. Në lidhje me kohën se kur do të kryhet autopsia, të tregohet kujdes në drejtim të organizimit të punës në mënyrë që, mundësisht, ky veprim të bëhet në intervalin nga ora 08.00-16.00, kohë në të cilën ndriçimi natyror është i mjaftueshëm.

3. Të tregohet kujdes dhe të bëhen të gjitha përpjekjet që objekti i autopsisë të dërgohet në morg, ku edhe kushtet janë maksimale. Vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe kur shkaqet e ngjarjes janë të qarta, të mjaftohet me kryerjen e ekspertimit në vend dhe të lejohet marrje e kufomës nga familja, pa ju nënshtruar autopsisë.

4. Në zbatim të nenit 179, pika 1 të K.Pr.P., vendimi për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor të mos jetë nominal, (në emër të një eksperti konkret) por të dërgohet, gjithmonë, pranë Shërbimit Qendror të Ekspertimit Mjeko-Ligjor, ku pasi merret në dorëzim sipas rregullave, jepet urdhëri përkatës për kryerjen e punës, nga drejtuesi i institucionit. Vendimi për kryerjen e ekspertimit të jetë në dy kopje, të cilat pasi evidentohen dhe jepet urdhëri përkatës për kryerjen e ekspertimit nga shefi i këtij shërbimi, protokollohen dhe një kopje qëndron në sekretarinë e SHQEML-it, ndërsa kopja tjetër, bashkë me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, i kthehet organit i cili ka kërkuar ekspertimin. Në rast kur organi që urdhëron kryerjen e ekspertimit, ka ndonjë preferencë apo rezervë, për ndonjë ekspert konkret, mundet t’ja bëjë prezent këtë, drejtuesit të SHQEML-it, në shkresën përcjellëse të vendimit të ekspertimit.

5. Kur është e nevojshme kryerja e analizave toksikologjike, sidomos të drogës dhe të lëndëve helmuese, me qëllim që të evidentohen ndrërhyrjet dhe deformimet e rezultatit të analizave, kur çmohet nga organi që urdhëron kryerjen e ekspertimit, të aplikohet kryerja e analizës paralele, në laboratorin e SHQEML dhe në Laboratorin Qendror Kriminalistik.

6. Për kryerjen e ekzumimeve, të mbahet parasysh, kryerja e tyre, mundësisht, në orët e para të mëngjesit, kur lëvizja e njerëzve është e kufizuar, me qëllim që të shmanget përshtypja që krijohet në raste të tilla në ambjentin rrethues. Organet e policisë, të marrin të gjitha masat për krijimin e kushteve normale të punës, duke siguruar ruajtjen e vendit të kryrjes së ekzumimit, duke shoqëruar mjekët gjatë ardhjes dhe gjatë largimit nga ky vend e deri në përfundim të veprimeve, analizave etj.

7. Organi i prokurorisë dhe hetimit, në të gjitha rastet e vdekjeve të dhunshme, për të cilat ka filluar çështja penale dhe është kërkuar ekspertimi mjeko-ligjor, duhet të zbatojnë kërkesat e nenit 10 dhe 11 të Ligjit Nr. 7830, datë 15.06.1994 “Për autopsitë” dhe të nenit 15 të Ligjit Nr. 5840, datë 20.02.1979 “Për Aktet e Gjëndjes Civile” dhe të kujdesen për plotësimin e skedës së vdekjes nga mjeku-ligjor. Pasi të merret ky dokument, të jepet leja e varrimit dhe të dërgohet urdhëri për të bërë veprimet në aktet e gjendjes civile, brenda tre ditëve nga data e ngjarjes.

8. Ky Udhëzim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

RREGULLORE
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E INSTITUTIT TË MJEKËSISË LIGJORE

( Miratuar me Urdhërin e Ministrit të Drejtësisë Nr. 6745, datë 04.11.2003)
(Miratuar ndryshimet me Urdhërin e Ministrit të Drejtësisë
Nr.7194/1, datë 24.01.2006)

KREU I

PARIME TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Instituti i Mjekësise Ligjore është institucion qëndror, buxhetor, në vartësi të Ministrit të Drejtësisë.
Në ushtrimin e veprimtarisë ka për qëllim të kërkojë respektimin e Kushtetutës, Kodeve, ligjeve e akteve nënligjore, realizimin e mbrojtjen e dinjitetit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore si dhe parandalimin e shkeljeve të ligjit.

Neni 2

Instituti i Mjekësisë ligjore administron tërësinë e njohurive dhe metodave aplikative mjekësore tekniko-shkencore në shërbim të praktikës së organeve të drejtësisë për zgjidhjen e çështjeve hetimore – gjyqësore me karakter mjekësor dhe biologjik, në veprimtarinë kriminale e konflikteve civile.

Në të njëjten kohë, Ministria e Shëndetësisë e institucionet shëndetësore i përdorin të dhënat e ekspertimit mjekoligjor në dobi të forcimit të disiplinës tekniko-shkencore, të përmirësimit të cilësisë së punës diagnostike-mjekësore, të luftës parandaluse kundër pakujdesive e gabimeve mjekësore si dhe në studimin e shkaqeve të traumave, të helmimeve, të vdekjeve të papritura etj

Neni 3

a) Drejtimet e përgjithshme të veprimtarisë të këtij Instituti janë :

b) Veprimtaria kërkimore shkencore për zbulimin dhe zbatimin e metodave bashkëkohore në fushën e mjekësisë ligjore.

c) Organizimi dhe drejtimi i veprimtarisë së shërbimeve të ekspertimit mjekoligjor në Republikën e Shqipërisë.

d) Kryerja e ekspertimeve mjekoligjore, patologjike, toksikologjike, biologjike dhe psikiatrike, si dhe veprime të tjera, sipas rasteve dhe proçedurave të parashikuara në K.Pr.Civile, K.Pr. Penale dhe në ligje të veçanta.

e) Bashkërendimi i veprimtarisë së këtij Instituti me institucionet shendetësore për parandalimin e veprave penale, që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pacientëve.

f) Përgatitja dhe kualifikimi i vazhdueshëm shkencor i specialistëve të mjekësisë ligjore.

g) Bashkërendimi i veprimtarisë me Institucionet homologe ndërkombëtare.

Neni 4

Instituti i Mjekësisë Ligjore (I.M.L.) kryen veprime ekspertimi me kërkesë të prokurorisë, të policisë gjyqësore dhe me vendim të gjykatës lidhur me çështjet në shqyrtim:
Me kërkesë të personave të proçeduar penalisht, palëve në proçesin civil, mbrojtësve ose përfaqesuesve të tjerë, kryen veprime ekspertimi vetëm lidhur me mbrojtjen dhe realizimin e detyrave të tyre për një hetim a gjykim të filluar.

Me miratim të Ministrisë së Drejtësisë në raste të veçanta mund të kryhen edhe ekspertiza të kërkuara nga subjekte të tjerë ose jashtë funksionit të hetimit dhe gjykimit (kërkesa nga Ministria e Shendetësisë, Ministria e Rendit Publik, Institucionet e sigurimeve shoqërore etj).

Neni 5

Mostrat toksikologjike, biologjike, kimike, histologjike, antropo- logjike, të paketuara konform rregullave teknike, në cilësinë e provës materiale, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës, dërgohen në Institut nga persona të painteresuar për rezultatet e ekspertimit. Këto prova materiale pranohen nga eksperti që do të ndërmarrë këtë ekspertim, në mungesë të tij nga eksperti i gatshëm, në pajtim me rregullat ligjore të marrjes dhe dorëzimit të tyre në destinacionin përkatës. Ruajtja e tyre bëhet në kasafortë ose frigorifer për një periudhë kohe aq sa është e pranueshme nga ana teknike dhe afateve ligjore, dhe në një kohë limit deri në 6 ( gjashtë ) muaj.

Neni 6

Ekspertimi realizohet kundrejt shpërblimit nga organi ose subjekti kërkues sipas tarifave të miraturara nga Ministri i Drejtësisë.

Neni 7

Marrëdheniet ndërmjet Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe institucioneve të tjera qëndrore, rregullohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe titullarit përkatës.

Neni 8

Marrëdhëniet e Institutit të Mjekësisë Ligjore me Policinë Gjyqësore, gjykatën dhe personave rregullohen në bazë të dispozitave të Kodeve të proçedurës penale, civile dhe kësaj rregulloreje.


KREU II

STRUKTURA E ORGANIZIMIT, VARËSIA DHE PERSONELI

Neni 9

Shërbimi i ekspertimit mjekoligjor në Republikën e Shqiperisë është brënda sistemit të Ministrisë së Drejtësisë, në vartësi të Ministrit të Drejtësisë i cili nëpërmjet strukturave përkatëse, drejton dhe kontrollon administrativisht këtë shërbim.

Neni 10

Shërbimi i ekspertimit mjekoligjor realizohet nga I.M.L., me qendër në Tiranë, nga shërbimet mjekoligjore rajonale të ndarjes administrative në bazë qarku si dhe me ekspertë të jashtëm në rrethet e tjera.
Struktura dhe përbërja e këtyre shërbimeve, propozohet nga Këshilli Drejtues i I.M.L. dhe miratohet nga Ministri i Drejtësisë.

Neni 11

Shërbimi i ekspertimit mjekoligjor kryhet nga ekspertë funksionalë
(patologë, toksikologë, psikiatër, biolog) dhe ekspertë të jashtëm. Ekspertët funksionalë në përputhje me strukturën organike kryejnë veprimtarinë e tyre në IML si dhe kryesisht në shërbimet rajonale.


Neni 12

Ekspertët mjekoligjorë funksional dhe personeli tekniko-administrativ emërohen dhe shkarkohen nga Drejtori i IML.

Neni 13

Ekspertët e jashtëm emërohen dhe shkarkohen nga Drejtori i I.M.L dhe merren në punë me kontratë pune. Në I.M.L. mund të aktivizohen si ekspertë të jashtëm edhe pedagogë efektive të U.T., specialistë të institucioneve shëndetësore etj.

Neni 14

Shërbimet mjekoligjore rajonale dhe të rretheve të tjera nga pikpamja e drejtimit metodikë dhe teknikë–organizativë varen nga IML, ndërsa të parat edhe nga pikpamja administrative.

KREU III

INSTITUTI I MJEKËSISË LIGJORE ( I.M.L.)

Neni 15

I.M.L. është instanca më e lartë e ekspertimit mjekoligjor.
Struktura organizative e IML përbëhet nga: Këshilli Drejtues, Këshilli Shkencor, Drejtori, Zv.Drejtori, ekspertët patolog, ekspertët toksikolog, ekspertët psikiater dhe ekspert biolog, kryelaborant, laborantet, kryetekniku i morgut, specialisti financier, specialisti jurist, administratori, sekretare, arkiviste, shoferët, sanitare. Numri dhe përbërja e këshillit drejtues miratohet nga Ministri i Drejtësisë mbi bazën e propozimeve te Institucionit. Kryetar i Këshillit Drejtues është Drejtori i Institucionit .

Neni 16

Këshilli Drejtues, që si rregull mblidhet një herë në muaj,

a) shqyrton dhe miraton :

· Planin e zhvillimit të Institutit .

· Problemet e financimit dhe planin financiar të institucionit .

· Problemet e vendeve të punës dhe çështjet sociale që lidhen me kushtet e punës.

· Raportimet e Drejtorit për ecurinë e planit të zhvillimit dhe realizimit të planit financiar të Institucionit.

b) shqyrton dhe jep mendime për:

· Strukturën organizative të Institucionit.
· Rregulloren e Institucionit.

Neni 17

Këshilli Shkencor përbëhet nga anëtarë të brendshëm dhe të jashtëm, që emërohen nga Ministri i Drejtësisë mbi bazën e propozimeve të institucionit, për një afat trevjeçar të përsëritshëm. Drejtori i institucionit është Kryetar i Këshillit Shkencor.
Sekretari i Këshillit Shkencor zgjidhet me votim të hapur nga antarët e këshillit dhe përgjigjet për anën teknike –organizative të mbarvajtjes së këtij Keshilli.

Neni 18

Këshilli Shkencor shqyrton dhe miraton :

· Projektet e kërkimit dhe të zhvillimit të Institucionit;

· Studimet e kryera në përfundim e zbatim të projekteve;

· Marrëveshjet e bashkëpunimit shkencor me institucionet homologe të vendit dhe të huaja.

· Programet e specializimit dhe kualifikimit pas universitar .

· Programet e ngritjes tekniko-profesionale të personelit teknik dhe laborante .

· Programet e organizimit të konferencave dhe simpoziumeve shkencore në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.

· Miraton punimet shkencore për grada dhe tituj shkencor të ekspertëve.

· Planizon dhe miraton artikuj dhe punime të tjera për botim në shtypin shkencor .

Neni 19

Personeli shkencor, teknik dhe administrativ, që punon në I.M.L. duhet të jetë i një niveli cilësor tekniko-profesional, me veti etiko-morale të larta.
Ne rekrutimin e ekspertëve duhet dhën përparësi specialistëve me tituj dhe grada shkencore, kriteri i notës mesatare, i gjuhëve të huaja, botimeve, temave, i njohjes së kompjuterit, të kualifikimeve jashtë shtetit etj.

KREU IV

SHËRBIMI MJEKO-LIGJOR RAJONAL (SH.M.R)

Neni 20

Shërbimi mjekoligjor rajonal në rrethet ku kanë qendrën Qarqet është pjesë e strukturës administrative të I.M.L., kryhet nga kuadro me arsim të lartë mjekësor, të specializuara në fushën e mjekësisë ligjore dhe etike. Ata emërohen dhe shkarkohen konform nenit 12 të kësaj rregulloroje.

Neni 21

Me cilesinë e kryeekspertit, eksperti mjekoligjor i shërbimit ku ka qendrën Qarku, është drejtues operativ dhe teknik i eksperteve të jashtëm të rretheve që përfshihen nën juridiksionin e këtij Qarku.

Neni 22

SH.M.R përbëhet:
Nga ambulanca mjekoligjore (ekspertim i personave), nga salla e autopsisë (ekspertim kufomave), laboratori histopatologjik dhe sekretari – arkiva. Ky shërbim e ka bazën materiale në spitalin përkatës, kryen vetëm ekspertime në personat e dhunuar dhe ekspertime në kufoma si dhe mbulon gadishmërinë e ngjarjeve të atij rrethi.

Neni 23

Në raste ekspertimesh të vështira, me miratim të organit të prokurorisë ose të gjykatës, eksperti i SH.M.R. mund të kërkojë për konsultë ekspertë të I.M.L. ose ekspertë paralele të SH.M.R fqinjë.

Neni 24

Në rast se eksperti i SH.M.R. mungon për arsye të ndryshme ( i sëmu-
rë, me leje të zakonshme etj) ose për rrethana të veçanta nuk duhet të marrë pjesë në ekspertim, atëherë me miratim të organit që kërkon ekspertimin, kjo e fundit i ngarkohet ekspertit mjeko-ligjor paralel të një SH.M.R fqinje ose një eksperti mjeko-ligjor të rrethit me të afërt.

Neni 25

Në fund të ç’do viti SH.M.R. i dërgon një raport të hollësishëm I.M.L. mbi veprimtarinë e punës njëvjeçare, duke përfshirë edhe ato të rretheve që ka nën juridiksion.

 

KREU V

SHËRBIMI MJEKOLIGJOR NË RRETHE E TJERA (SH.M.T. )

Neni 26

Shërbimi mjekoligjor në rrethet ku nuk kanë qendrën Qarqet (SH.M.T) kryhet nga ekspertë të jashtëm, kryesisht mjekë anatomapatologë ose të specialiteteve të tjera të kualifikuar ne fushën e mjekësisë ligjore.
SH.M.L. nga pikpamja drejtimit metodike – organizative varet nga I.M.L. ndërsa nga pikpamja administrative nga drejtori i spitalit të rrethit përkatës.
Këta emërohen dhe shkarkohen nga Drejtori i I.M.L. dhe merren në punë me kontratë.

Neni 27

Eksperti i SH.M.T. vihet në lëvizje nga Prokuroria, Policia Gjyqësore dhe Gjykata duke mbuluar të gjitha ngjarjet, kryen ekspertime
mjekoligjore në persona dhe kufoma të rrethit ku bën pjesë duke u vendosur pranë bazës materiale – teknike të spitalit të rrethit.

Neni 28

Në raste ekspertimesh të vështira, ai mund të kërkojë për konsultë ekspertë të SH.M.R. ose ekspertë të I.M.L.


Neni 29

Në rast se eksperti i SH.M.T. mungon për arsye të ndryshme ose për rrethana të veçanta nuk duhet të marrë pjesë në një ekspertim, me miratim të organit që kërkon ekspertimin, kjo e fundit mund ti ngarkohet ekspertit të SH.M.R. ose një eksperti paralel të një rrethi fqinj.

Neni 30

Eksperti i SH.M.T i dërgon SH.M.R. një raport të hollësishëm për punën e bërë në ç’do fund viti.

 

KREU VI

OBJEKTET E EKSPERTIMIT NË FUSHËN E PATOLOGJISË LIGJORE

Neni 31

Objektet të ekspertimit në fushën e patologjisë ligjore janë:
Personat, kufomat, provat materiale dhe materialet e çështjeve hetimore dhe gjyqësore.

Neni 32

Ekspertimet në fushën e patologjisë ligjore kryhen nga mjekë të specializuar në fushën e mjekësisë ligjore dhe të nën specializimeve përkatëse si antropologji, biologji, histopatologji etj .

Neni 33

Ekspertimi i personave bëhet mbi bazën e vendimit të kërkesës sipas K.Pr.penale e Civile :

a) Për të përcaktuar karakterin, mjetin dhe shkallën e dëmtimeve trupore.

b) Për të përcaktuar humbjen e aftësisë për punë.

c) Për të përcaktuar gjëndjen shëndetësore etj.

d) Për te përcaktuar moshën dhe identitetin.

e) Për përcaktimin e gjëndjes seksuale (virgjëria, pjekuria seksuale, aftësia seksuale) dhe ekzaminimet në krimet seksuale etj.

f) Për të përcaktuar deshtimin, barrën, lindjen etj.

g) Për të kërkuar njohjen e atësisë dhe amësisë të një femije të lindur jashtë ose brenda martesës.

h) Për të percaktuar aftësinë për punë, tek personat pas aksidenteve.

i) Raste të tjera, që përcaktohen në vendimin e organit proçedures.
j) (automobilistike ose në punë etj), kur dyshohet të jenë përdorur lëndë alkolike ose LNP.

Neni 34

Ekspertimi mjekoligjor i personave kryhet në ambulancat përkatëse dhe në raste të veçanta edhe në vende të tjera sipas kërkesës së organit përkatës që kërkon ekspertimin. Ekspertimet në pikat c, d, g janë në kompetencë vetëm të I.M.L.

Neni 35

Ekspertimi mjekoligjor në kufomat bëhet sipas kërkesave të K.Pr.Penale dhe ligjit në:

a) Kufomat e personave që kanë vdekur ose dyshohet të kenë vdekur nga shkaqe me dhunë si pasoje e një vrasje, vetvrasje ose aksidenti.

b) Kufomat e personave që kanë vdekur papritur.

c) Kufomat e panjohura, të copëtuara dhe të kalbëzuara.

d) Kufomat e fëmijëve të porsalindur jashtë institucioneve mjekësore.

e) Kufomat e personave kur dyshohet se vdekja e tyre ka ardhur si pasojë e një mjekimi të pakujdesshëm nga ana e personelit mjekësor ose mosdhënies së ndihmës mjeksore.

f) Kufomat pas çvarrimit.


Neni 36

Ekspertimi i kufomave bëhet në morg. Në raste të veçanta ai mund të kryhet edhe në vëndin e ngjarjes, kur organet e hetimit i krijojnë ekspertimit kushtet e nevojshme.

Neni 37

Autopsia kryhet jo më parë se 12 orë nga momenti i vdekjes.
Në raste të jashtëzakonshme autopsia mund të bëhet edhe në një interval kohe më të shkurtër, por jo më parë se katër orë pas vdekjes, me akt të arsyetuar.

Neni 38

Sigurimi i mjetit të transportit për vajtjen në vëndin e ngjarjes bëhet nga organi i Proçedurës, të cilët njëkohësisht marrin masat për kryerjen e autopsisë në kushte sa më optimale (transportimi i kufomës në morg ose në vendin ku do të kryhet autopsia, sigurimi i personelit mjekoligjor gjatë autopsisë, sigurimi i transportimit të materialeve të marra për ekzaminime plotësuese në laboratorët përkatëse etj).

Neni 39

Ekzaminimi i kufomave bëhet i plotë në përputhje me Ligjin “Mbi autopsite“ dhe rregullat e njohura të autopsisë, duke hapur si rregull të tre zgavrat e trupit: koka, kraharori, barku dhe në rastet kur është e nevojshme edhe kanali i shtyllës kurrizore.
Autopsia kryhet në dritë natyrale, vetëm në raste të rralla mund të bëhet edhe në dritë artificiale.

Neni 40

Ekspertimi në provat materiale bëhet për të zbuluar në të pjesë dhe sekrecione biologjike, gjak dhe gjurmët e tij, flokë, sperme, inde të buta, kocka etj.

Neni 41

Ekspertimi mbi materialet e çështjes kryhet në bazë të dokumentave hetimore e gjyqësore, kur mungon objekti konkret (personi, kufomat, provat materiale).
Ky lloj ekspertimi kërkohet kur në dokumentat e një çështje hetimore gjyqësore mungon mendimi i ekspertit mjekoligjor, kur në to ndodhen konkluzione kontradiktore të disa ekspertëve, kur të dhënat hetimore gjyqësore nuk përputhen me ato të ekspertimit, në rastet e marrjes në përgjegjësi penale të personelit mjekësor për mjekim të pakujdesshëm, mosdhënie ndihme etj.
Këto ekspertime kryhen me komision, ku njëri prej eksperteve është në rolin e relatorit të çështjes.

KREU VII

OBJEKTET NË FUSHËN E EKSPERTIMIT TË TOKSIKOLOGJISË LIGJORE

Neni 42

Objekte të ekspertimit toksikologjik-ligjor janë:

Organet e brëndshme të kufomave (të freskta, të egzumuara, të kalbëzuara), lëngjet biologjike (gjak, urinë) provat materiale, që dyshohet të kenë lidhje me helmime (ushqimore, pije, ilaçe etj), si dhe materiale të sekuestruara (lëndë narkotike, psikotrope, bimë).

Neni 43

Laboratori toksikologjik ekzaminon edhe lëngjet biologjike të personave me helmime akute të shtruar në spitale, për përcaktimin e saktë të diagnozës se tyre.

Neni 44

Ekspertimet toksikologjike-ligjore kryhen me kërkesë të organit proçedurës, të ekspertit mjekoligjorë etj, konform nenit 5 të kësaj rregullorje.

Neni 45

Ekspertimet toksikologjike-ligjore kryhen nga farmacistë, kimistë ose mjekë të specializuar në fushën e analizës së toksikologjisë ligjore në mënyrë individuale dhe sipas rëndesisë së rastit punojnë dhe në grup.

Neni 46

Riekspertimet toksikologjike-ligjore kryhen me komision në raste kur ekspertimi nuk është i plotë ose i paqartë, kur rezultojnë mospërputhje të rezultateve të analizave si dhe kur akti toksikologjik-ligjor bie ndesh me provat e tjera hetimore gjyqësore. Organi kompetent që kërkon kryerjen e riekspertimit, në vendimin përkatës duhet të arsyetojë shkaqet që e detyrojnë kryerjen e një analize të tillë.

KREU VIII

OBJEKTET NË FUSHËN E PSIKIATRISË-LIGJORE

Neni 47

Objektet e ekspertimit psikiatriko-ligjor janë:

a) Përcaktimi i përgjegjshmerisë ose papërgjegjshmërisë të personave, që merren në përgjegjësi penale kur ka të dhëna të dyshueshme për një sëmundje psikike.

b) Përcaktimi i gjëndjes psikike të personave, që paraqesin turbullime psikike gjatë kohës së vuajtjes së dënimit.

c) Përcaktimi i llojit të masave mjekësore për personat të deklaruar të papërgjegjshëm për veprën e kryer ose sëmuren nga ana mendore pas kryerjes së krimit.

d) Përcaktimi i gjëndjes shëndetësore të personave që ndodhen për mjekim të detyruar dhe propozimi për heqjen e kësaj mase.

e) Përcaktimi i zotësisë juridike për të vepruar të personave që gjatë proçesit civil shfaqin shenja të dyshueshme për çrregullime psikike.

f) Përcaktimi i gjëndjes psikike të dëshmitarëve dhe të dëmtuarve.


Neni 48

Ekspertimet psikiatriko-ligjore si rregull kryhen në kushte spitalore, në spitalin e burgut Tiranë për ata në gjendje arresti apo që vuajnë dënimin, dhe në spitale psikiatrike për ata në gjendje të lirë.
Të ekspertuarit shoqërohen për shtrim me të gjitha materialet e domosdoshme për kryerjen e ekspertimit (vendimi i ekspertimit, të dhëna që paraqesin interes psikiatrik nga dosja, raporte mjekësore etj).

Neni 49

Në raste të lehta ose të qarta, ekspertimi psikiatriko-ligjor mund të kryhet ambulatorisht (në një dhomë spitali, ambulance) dhe në raste të rralla kur ekspertimi mund të kryhet në hetuesi për të arrestuarit dhe në përgjegjësi ka karakter konsultues për tu orientuar nëse i arrestuari ose i pandehuri përbën objekt ekspertimi ose jo. Eksperti mund të thirret drejtëpërsëdrejti në gjykatë, e në raste të lehta konkluzionet jepen në sallën e gjyqit, për ndryshe rekomandohet ekspertimi nën kushte spitalore.

Neni 50

Ekspertimi psikiatriko-ligjor mund të kryhet dhe në mungesë pa praninë e të ekspertuarit, mbështetur në dokumentacionet mjekësore dhe hetimore. Ky ekspertim kryhet kur lind nevoja për të kontrolluar përfundimet e një eksperti të mëparshëm, kur ato ngjallin dyshime për saktësinë e tyre, ose pas vdekjes.

Neni 51

Ekspertimet psikiatriko-ligjore kryhen nga mjeke psikatër të specializuar në fushën e psikiatrisë-ligjore, si rregull kryhen nga një ekspert, në raste të ndërlikuara kryhen me komision.

KREU IX

OBJEKTET E EKSPERTIMIT NË FUSHËN E
BIOLOGJISË LIGJORE

Neni 52

Objekte të ekspertimit në fushën e biologjisë ligjore janë:

Lëngjet me natyrë biologjike (gjak dhe sperme), pjesë të trupit të njeriut (fije floku), si dhe prova materiale për të zbuluar në to mbeturina te sekrecioneve biologjike si gjurmë gjaku, njolla sperme dhe fije floku.

Ekzaminime për të përcaktuar njohjen e atesisë së një fëmije të lindur jashtë ose brenda martese.

Neni 53

Ekspertimet biologjike kryhen me kërkesë të organit të procedurës, me kërkesë të ekspertit mjeko-ligjor, konform nenit 4 dhe 5 të kësaj Rregulloreje. Ekspertimet kryhen ne kushte laboratorike.

Neni 54

Ekspertimet biologjike kryhen nga biologë të specializuar në fushën e biologjisë ligjore, si rregull nga ekspert biolog në mënyrë indidividuale, dhe në raste të rëndësishme në grup.

Neni 55

Riekspertimet biologjike kryhen me komision në rastet kur ekspertimi është jo i plotë dhe kur akti biologjik bie ne kundërshtim me provat e tjera gjyqësore. Në këtë rast organi që kërkon riekspertim, në Vendimim përkatës, duhet të theksojë shkaqet që e detyrojnë përsëritjen e këtij ekspertimi.

 

KREU I X

DOKUMENTACIONI MJEKOLIGJOR

Neni 56

Mbështetur në K.Pr.Penale dhe Civile për çdo lloj ekspertimi mjekoligjor, kimikoligjor dhe psikiatrikoligjor etj, hartohet një akt ekspertimi me shkrim, i përbërë prej tre pjesësh: hyrje, pjesa përshkuese dhe konkluzioni.

Në pjesën e hyrjes jepen të dhëna të sigurta të gjeneraliteteve të objektit të ekzaminuar dhe ekzaminuesit, rrethanat e çështjes dhe pyetjet që kërkohet tu jepen përgjigje.

Pjesa përshkruese, si dhe pjesa më e rëndësishme e aktit duhet të përmbajë një përshkrim të hollësishëm të ekspertimit dhe të gjithë të dhënat e tjera të zbuluara.

Konkluzioni si rrjedhojë llogjike e pjesës përshkruese duhet të jetë i saktë, pa mëdyshje, i prerë dhe i argumentuar shkencërisht dhe në përgjigje të pyetjeve të kërkuara.

Aktet e ekspertimit biologjiko-ligjor shoqërohen me dy pasqyra plotësuese:
”Formulari për ekzaminim të përgjithshëm”, i cili plotësohet me shkrim dore dhe ”Diagramën” ku vendosen fotografitë e provave materiale.

Neni 57

Akti i ekspertimit përpilohet në dy kopje, e para dërgohet në destinacionin e caktuar brenda afateve optimale të shoqëruar me fletë përcjellëse, ndërsa tjetra ruhet në arkivën e I.M.L.

Neni 58

Nuk lejohet zëvendësimi i akteve të ekspertimit me fleta informative të ndryshme të shkurtra dhe me dokumenta të tjera të këtij lloji.

Neni 59

Afatet kohore limit të përfundimit të akteve mjeko-ligjore të jetë si më poshtë:

v Akt dëshmitë mjeko-ligjore ambulatore deri në 24 orë.

v Akt dëshmitë mjekoligjore me të dëmtuar të shtruar në spital deri në 3 ditë.

v Akt mjeko-ligjor të ekzaminimit të kufomave të freskëta pa ekzaminime komplementare deri në pesë ditë.

v Akt mjeko-ligjor të ekzaminimit të kufomave të freskëta me ekzaminime komplementare dhe atyre të dekompozuara deri në dy javë.

v Akt mjeko-ligjor mbi ekzaminimin e kufomave të çvarrosura ose eshtrave skeletike deri në tre javë.

v Akt mjekoligjor mbi dokumentat e çështjes deri në katër javë.

v Akt ekspertimi mbi provat biologjike deri në dy javë.

v Akt ekspertimi mbi provat toksikologjike deri në katër javë.

v Akt ekspertimi psikiatrik deri në katër javë.

Ne raste të veçanta, tejkalimi i këtyre afateve bëhet vetëm me miratim të drejtuesit të Institucionit.

KREU XI

TË DREJTA DHE DEYRAT E DREJTORIT TË INSTITUTIT

Neni 60

1. Drejtori i I.M.L.-së është Titullari i Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili emërohet nga Ministri me propozim të Këshillit Drejtues të jo më pak se dy kandidateve për një afat 3-vjeçar të përsëritshëm vëtëm një herë. Ai drejton dhe kontrollon veprimtarinë në sistemin e përgjithshëm të ekspertimit mjeko-ligjor, sipas kompetencave të parashikuara në këtë Rregullore.

2. Drejtori ka të drejtën dhe autoritetin të përfaqësojë I.M.L-në marrëdhie me të tretët.

3. Drejtori i I.M.L-së mban përgjegjësi për ligjshmërinë e veprimeve të tij dhe stafit gjatë kryerjes së detyrës dhe kur nuk eshtë i bindur për ligjshmërinë e urdhërave dhe vendimeve që zbaton duhet të informojë menjëhërë organet eprore. Ai nuk është i detyruar të zbatojë një urdhër të paligjshëm.

4. Drejtori miraton planet e punës të sektorëve në varësi të tij dhe paraqet për miratim në Ministrinë e Drejtësisë planet e punës tremujore dhe vjetore

5. Në zbatim të kompetencave të tij, për zbatimin e detyrave nga vartësit, Drejtori nxjerr Urdhra dhe Udhëzime, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha strukturat e I.M.L-së.

6. Kërkon dhe kontrollon nga të gjithë ekspertët e I.M.L-së, personelin teknik e administrativ kryerjen e detyrës me profesionalizëm e korrektësi dhe mbikqyr zbatimin e akteve ligjore e nënligjore në fuqi.

7. Shqyrton dhe shpërndan nëpërmjet siglimeve të gjitha dokumentat që hyjnë në Institut nëpërmjet zyrës së protokollit, sektorëve përkatës, si dhe shqyrton dhe nënshkruan të gjithë dokumentacionin mjeko-ligjor dhe administrative të krijuar nga strukturat përkatëse në varësi të tij.

8. Drejtori në mungesi të tij dhe Zv/Drejtorit ja delegon të drejtën për të nënshkruar njërit prej anëtarëve të Këshillit Drejtues. Kjo e drejtë revokohet në çdo kohë.

9. Ai harton dhe ndjek planin e kualifikimit të ekspertëve e punonjësve të tjerë të Institutit nëpërmjet seminareve, leksioneve, temave, duke bashkëpunuar me organizmat ndërkombtarë. Përfaqëson Institutin në veprimtarinë kombëtare dhe ndërkombëtare.

10. Në fushën e studimeve shkencore, në bashkëpunim me departamentet përkatësë, ndihmon në hartimin e planeve të punës shkencore, në organizimin e seminareve dhe simpoziumeve.
Gjithashtu bashkëpunon në mbarëvajtjen e proçesit pedagogjik dhe pasuniversitar si dhe drejton kualifikimet afatshkurtra.

11. Drejtori jep vendime përfundimtare për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet sektorëve të I.M.L-së dhe strukturave të tij, lidhur me kopetencat dhe zbatimin e detyrave sipas kësaj Rregulloreje.

12. Organizon pritjen e ankesave e kërkesave të qytetarëve lidhur me punën e ekspertëve të fushave të ndryshme dhe shkeljet e të drejtave të ligjshme.

13. U jep zgjidhje kërkesave dhe ankesave të publikut apo institucioneve të tjera duke angazhuar punonjësit e niveleve të ndryshme të I.M.L-së. Në çdo kohë merr informacion për marrjen e zgjidhjes përfundimtare të tyre.

14. Drejtori i I.M.L-së emëron në bazë të rezultateve të konkursit, dhe shkarkon nga detyra:

§ Ekspertët mjeko-ligjor, toksikolog-ligjor, psikiatër-ligjor, biologo-ligjor.
§ Personelin teknik.
§ Personelin administrativ.

në bazë të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë.

15. Jep masat disiplinore deri në largimin nga puna, për të gjithë personelin e ekspertëve, teknik dhe administrativë në bazë të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, vendimeve të Këshillit të Ministrave me këtë objekt dhe Kontratës së punës.

16. Miraton projekt-buxhetin për vitin pasardhës dhe e dërgon atë për shqyrtim tek Ministri i Drejtësisë. Zbaton buxhetin e miratuar të çdo viti.

17. Nxjerr urdhra për mirëadministrimin e vlerave materiale, monetare dhe buxhetore dhe përgjigjet për shpenzimet e I.M.L-së.

18. Jep shpërblime sipas dispozitave ne fuqi vartësve që dallohen në kryerjen e detyrave dhe ata që kanë më nevojë për ndihmë shëndetësore e fatkeqësish.

19. Të respektojë orarin e punës dhe të kërkojë shfrytëzimin e tij nga të gjithë vartësit.

20. Të mos kryej punë apo veprimtari të cilat paraqesin konflikt interesash me detyrën e tij zyrtare ose pengojnë përmbushjen e saj.

21. Kryen analizën vjetore të punës së Institutit dhe I dërgon një raport përmbledhës Ministrit të Drejtësisë për gjëndjen dhe realizimin e ekspertimit mjeko-ligjor dhe masat që duhen marrë për përmisimin e gjendjes.

 

KREU XII

TË DREJTAT DHE DETYRAT E ZV/DREJTORIT TË INSTITUTIT

Neni 61

1. Zv/Drejtori i Institutit emërohet nga Ministri me propozim të Këshillit Drejtues të jo më pak se dy kandidatëve, për një afat tre vjeçar të përsëritshëm vetëm një herë.

2. Zv/Drejtori drejton punën sipas fushave, organizimit dhe ndarjes së përgjithshme të punës të bërë nga Drejtori i Institutit dhe detyrat e caktuara prej tij dhe përgjigjet para tij për mbarëvajtjen e tyre.

3. Zv/Drejtori ndihmon Drejtorin në kryerjen e funksioneve të tij dhe kryen detyra të tjera që i ngarkon Drejtori.

4. Firmos akte të ndryshme në mungesë dhe me porosi të Drejtorit.

5. Raporton përpara Drejtorit për të gjithë veprimtarinë e kryer në mungesë të tij.

6. Bashkërendon punën në sektorët e ndryshëm të Institutit.

7. Ushtron kontroll dhe kërkon llogari shefave të sektoreve për zbatimin e detyrave të ngarkuara.

8. Mban përgjegjësi për mbarëvajtjen e punës së Institutit dhe kontrollon në mënyrë periodike, në bazë të informacionit të dhëna nga Institucione, organe ose persona të interesuar, ligjshmërinë e veprimtarisë së ekspertëve mjeko-ligjore, toksikolog-ligjor, psikiatër-ligjor, biolog-ligjor, personelit teknik dhe adminstrativ. Konkluzionet ja paraqet Drejtorit të I.M.L-së.

9. Përgatit materiale dhe informacione te ndryshme për Drejtorin dhe detyrat e caktuara nga Drejtori jua përcjell shefave të sektorëve për ndjekje.

10. Konsulton me Drejtorin problemet e ekspertimit mjeko-ligjor, teknike dhe administrative.

11. Në ushtrimin e detyrave te tij duhet te respektojë orarin e punës dhe ta shfrytëzojë atë.

 

KREU XIII

DETYRAT DHE TË DREJTAT E EKSPERTIT PATOLOG - LIGJOR , TOKSIKOLOG - LIGJOR, PSIKIATËR - LIGJOR DHE BIOLOG – LIGJOR.

Neni 62

1. Eksperti Patolog-ligjor, toksikolog-ligjor, biolog-ligjor e psikiater-ligjor për funksionet, që ai kryen gjatë një ekspertimi, qoftë ai funksional ose i jashtëm, është përgjegjës përpara ligjit në përputhje me kërkesat e parashikuara në Kodin Penal dhe në Kodin e Proçedurës Penale.

2. Secili ekspert kryen ato ekspertime që janë në kompetencë të tij. Ai është i detyruar të paraqitet në kohë sa herë që thirret nga organet e drejtësisë. Ekspertimet duhet kryer konformë kërkesave ligjore dhe ti dorëzojë në afatet e caktuara në këtë rregullore .

3. Eksperti nuk duhet te marrë pjesë në një ekspertim kur me palët në hetim ose gjykim është bashkëshort ose gjini e afërt (i paralindur, i porsalindur, vëlla, motër, ungj, nip etj) ose kur ai vetë është i interesuar për rezultatet e këtij ekspertimi.

4. Ekspertët kanë detyrë të bëjnë kallzime, duke njoftuar organet përkatëse te drejtësisë, për të dhënat kriminale që zbulohen gjatë kryerjes së një ekzaminimi apo ekspertimi.

5. Ekspertët kanë për detyrë të mos sillen në kundërshtim me rregullat e etikës .

6. Eksperti ka të drejtë t’u kërkojë organeve te drejtësisë sqarime të ndryshme në lidhje me ekspertimin dhe përpilimin sa më të saktë të çështjeve që duhet të zgjidhë.

7. Eksperti ka të drejtë të njihet me rrethanat e çështjes, ose kur është e nevojshme, të jetë edhe i pranishëm në marrjen e shpjegimeve prej të pandehurit dhe dëshmitarëve.

8. Të mos kërkojnë apo pranojnë asnjë përfitim moral apo material për kryerjen e detyrimeve, me përjashtim të pagës edhe shpërblimeve të tjera të ligjshme.

9. Eksperti i thirrur ne gjyq, ka të drejtë të njihet me materialin e çështjes, t’u drejtojë pyetje të pandehurve, dëshmitarëve dhe në rast se konkluzioni i tij nuk interpretohet drejtë prej njërës pale, të kërkojë nga kryetari i seancës ta sqarojë atë.

10. Eksperti kur mendon se materialet e prokurorisë ose të gjykatës janë të pamjuftueshme, ai ka të drejtë të njoftojë për pamundësinë e dhënies së mendimit dhe të tregojë se ç’farë materiale plotësuese i duhen.

11. Eksperti ka të drejtë t’u japë zgjidhje vetëm çështjeve me karakter mjekësor dhe biologjik dhe të refuzojë t’u përgjigjet që kapërcejnë kufijtë e njohurive të tij, ose që nuk hyjnë në kompetencat e tij.

12. Ekspertit nuk i lejohet të përdorë pronën shtetërore për përfitime private për vehte dhe për të tjerët.

13. Kur ekspertët e caktuar janë më shumë se një dhe ka ndryshime mendimesh midis tyre, secili ka të drejtë të parashtrojë mendimin e tij.

14. Eksperti ka të drejtë të kërkojë nga organet e drejtësisë ose Institucioni, ndihmën e specialistëve të ndryshëm dhe shtrimin në spital të personit që do të ekzaminohet, kur ai e sheh të nevojshme.

15. Të përmirësojnë aftesitë e tyre profesionale dhe të marrin pjesë në veprimtarinë trajnuese për këtë qëllim.

16. Ekspertët e jashtëm shpërblehen për punën faktike me vlerën e pagesës së një ore pune të ekspertit funksional, sipas normativave të miratuara për çdo lloj ekspertimi. Për kushte specifike, mund të zbatohet edhe kriteri i shpërblimit fiks.

17. Të marrë lejen vjetore të pagueshme dhe shpërblime e ndihma të tjera konformë dispozitave ligjore e nënligjore.

KREU XIV

DETYRAT E JURISTIT

Neni 63

1. Mban të gjithë legjislacionin që I nevojitet në punën e përditshme të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të strukturave të veçanta të tij si dhe ndjek ndryshimet dhe botimet e dispozitave ligjore e nënligjore.

2. Ndjek bazueshmërinë në ligj të të gjitha dokumentave të krijuara në Institutin e Mjekësisë Ligjore, i siglon ato përpara se të shkojnë për miratim tek Titullari.

3. Përgatit projekrregulloret, urdhërat e udhëzimet e titullarit, bazueshmërinë e tyre në ligj duke patur parasysh zbatimin e të drejtave të njeriut.

4. Jep ndihmën juridike të gjithë strukturave të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

5. Me autorizim të Titullarit përfaqëson Institucionin në marrëdhëniet me gjykatat dhe institucionet shtetërore dhe joshtetërore duke ndjekur e realizuar mbrojtjen juridike të interesave të Institucionit.

6. Kujdeset për dhënien e përgjigjeve ligjore dhe zbatimin e afateve për ankesat dhe kërkesat e punonjësve dhe qytetarëve.

7. Sipas planit të miratuar nga Titullari, kontrollon e ndihmon në zbatimin e ligjeve, akteve nënligjore dhe rregullave nga punonjësit e administratës së Institucionit.

8. Përmirëson në mënyrë të vazhdueshme aftësitë e tij profesionale nëpërmjet shkëmbimit të ekspertiencës dhe pjesmarrjes në veprimtaritë drejtuese si seminare, leksione, tema, vizita pune etj.

9. Në marrëdhënie me eprorët dhe punonjësit zbaton me korrektësi rregullat e etikës së punës.

10. Respekton orarin e punës dhe e shfrytëzon atë për kryerjen e detyrave, duke mbajtur përgjegjësi disiplinore, materiale dhe deri penale për rastet që vepron në kundërshtim me ligjin dhe aktet e tjera nënligjore.

11. Përfiton të gjitha të drejtat e garantuara me ligj, Kodin e Punës dhe akete e tjera nënligjore.

 

DETYRAT E LABORANTIT

Neni 64

1. Laboranti është ndihmës teknik i ekspertit. Ai duhet të ketë, arsimin dhe kualifikimin përkatës dhe mban përgjegjësi ligjore brenda kuadrit të punës teknike në ekspertimin ku merr pjesë.

2. Punë teknike e laborantit përfshin operacione teknike që konsumojnë kohë dhe nuk kërkojnë kualifikim të lartë shkencore si: përpunimi mekanik i provave (prerje organe, përgatitje preparatesh biologjike, histologjike) etj.

3. Të respektojë orarin e punës dhe të shfrytëzojë vetëm për kryerjen e detyrave të vendit të punës.

4. Të komunikoj me eprorët dhe kolegët e punës konformë rregullave etike.

5. Ai përgjigjet për ruajtjen e rregullit, të qetësisë, të pastërtisë në laborator. Pastron dhe sterilizon mjetet e punës. Merr masa për të tërhequr dhe materialet që i rekomandojnë ekspertët.

6. Të mos kryej në laborator punë, të cilat paraqesin konflikt interesash me detyrën e tij ose pengojnë përmbushjen e detyrës.

7. Të përfitojë lejen vjetore dhe shpërblime të tjera konforme akteve ligjore e nënligjore.

 

 

 

KREU XV

DETYRAT E KRYELABORANTIT

Neni 65

1. Kryelaborant emërohet njëri nga laborantet më të kualifikuar dhe me eksperienc, që krahas punës së tij në sektorin përkatës është përgjegjës për mbarëvajtjen e punës në nivel teknik në gjithë laboratoret e Institutit.

2. Bën organizimin ditor të punës të laboranteve vartës dhe kontrollon kryerjen e detyrave të tyre.

3. Të përmirësojë aftësitë e tij profesionale dhe të vartësve, duke marrë pjesë në veprimtaritë trajnuese.

4. Kryelaboranti në bashkëpunim me sektorët e ndryshëm të Institutit, kontrollon dhe evidenton mungesat për të siguruar në kohë bazën materiale teknike (reagente, sende konsumi) etj. Koordinon mbarëvajtjen e punëve laboratorike, administron bazën materiale teknike të Insitutit (aparatura, reagentë) etj. Duke pasur në varësi të drejtëpërdrejtë magazinën e reagentëve dhe mjeteve të tjera të punës.

5. Ngre përpara shefit të sektorit shqetësimet dhe problemet për realizimin e detyrave dhe merr masat e nevojshme për zgjidhjen e tyre.

6. Bën kujdes që prona shtetërore të mos përdoret për përfitime private dhe të mos kryhen veprimtari që paraqesin konflikt interesash.

7. Kryelaboranti raporton e përgjigjet përpara shefit të sektorit për të gjitha detyrat që ka në kompetencë dhe jep mendim të kualifikuar për zgjidhjen e problemeve e pengesave që hasen.

8. Kujdeset për realizimin e të drejtave të tij dhe të vartësve dhe nevojave sipas kërkesave ligjore.

 

KREU XVI

DETYRAT E TEKNIKUT TË MORGUT

Neni 66

1. Tekniku i morgut është ndihmës i mjekut dhe mban përgjegjësi brenda kuadrit të punës teknike në autopsinë ku merr pjesë.

2. Puna teknike – mjekësore e teknikut të morgut përfshin operacione teknike në hapjen e kufomës sipas kërkesave të proçedurave të kërkuara nga mjeku, në qepjen, veshjen e kufomës dhe teknika mjekësore (injektime me formalinë, tamponime) etj.

3. Ai përgjigjet për pranimin, ruajtjen dhe dorëzimin e kufomës, konform rregullave ligjore, teknike dhe etike, mban të pastër mjedisin e punës dhe ruan inventarin që ka në ngarkim.

KREU XVII

DETYRAT E KRYETEKNIKUT TË MORGUT

Neni 67

1. Kryeteknik caktohet njëri nga teknikët me të kualifikuar dhe me eksperiencë, që krahas punës së tij në kufoma, është përgjegjës për mbarëvajtjen e punës në nivel organizues e teknik në sallën e autopsisë dhe të frigoriferëve.

2. Kryetekniku koordinon punën e teknikëve, administron bazën materiale – teknike të morgut (mjetet e punës, frigoriferit etj) dhe në realizimin e detyrave të tij mban lidhje direkte me drejtorin e institucionit.

3. Administron dhe kryen të gjitha proçedurat ligjore të varrimit të kufomave të paidendifikuara dhe të abandonuara në bashkëpunim me zyrën e gjendjes civile në bashkitë respektive.

KREU XVIII

DETYRAT E FINANCIERIT DHE ARKËTARIT

Neni 68
Financieri

Përgjigjet përpara Drejtorit të Institucionit për të gjithë veprimtarinë ekonomike – financiare të Institutit.

1. Përgatit projekt – buxhetin e Institucionit.

2. Përgatit bilancët kontabël.

3. Mban librin e kontabilitetit (ditarin, monitorimin me thesarin).

4. Inventarizon pasurinë e Institucionit, mjete kryesore e ndihmëse.

5. Rakordon periodikisht me thesarin e shtetit për veprimtarinë financiare.

6. Përgatit, organizon dhe drejton komisionin e blerjeve sipas dispozitave ligjore e nënligjore.

7. Llogarit pagat si dhe shpërblimet, ndihmat e dietat për shpërblim të punonjësve sipas strukturave të Institucionit dhe akteve ligjore të miratuara.

8. Nënshkruan urdhër xhirimet dhe urdhër pagesat e miratuara nga Drejtuesi i Institucionit.

9. Ushtron e kontrollon për zbatimin e disiplinës financiare dhe përdorimin e vlerave materiale e monetare, nga strukturat.

Arkëtari

1. Organizon tërheqjen e parave në Bankën e Shtetit sipas urdhër-xhirimeve, për pagat, shpërblimet, ndihmat etj, duke respektuar të gjitha rregullat e shoqërimit dhe lëvizjes.

2. Vendos në kasafortë paratë e shoqëruara dhe gjendjen duke bërë shënimet në librat përkatës dhe dokumentat e hyrjeve.

3. Bën shpërndarjen e pagave sipas listë pagesës së miratuar dhe mandat pagesave të nënshkruara nga financieri dhe Drejtori i Institucionit.

4. Në fund të veprimtarisë ditore bën bilancin e hyrjeve dhe të pagesave, dhe e dorëzon tek financieri.

5. Të gjitha llogaritjet i kryen me makinën llogaritëse, të kontrolluar.

6. Para daljes kontrollon mbylljen e kasafortës dhe zyrës dhe çelsat vazhdimisht i mban në vënd të sigurt.

7. Xhirimet edhe çeku i pagave shtypet me makinë shkrimi.

KREU XIX

DETYRAT E ADMINISTRATORIT DHE MAGAZINJERIT

Neni 69

Administratori

1. Mban dhe administron të gjithë dokumentacionin e personelit të Institutit. Përgatit dosjet individuale për të gjitha emërtesat e strukturave të Institucionit me të dhëna të karakterit teknik si: koha e fillimit të detyrës dhe mbarimit të saj, mosha, arsimi, masat disiplinore etj.

2. Planifikon nevojat për materiale dhe pajisje për funksionimin dhe aktivitetin e përditshëm të të gjitha strukturave të Institutit.

3. Bën furnizimin e të gjitha zyrave me materiale, pajisje kancelari të nevojshme sipas planit, duke respektuar normativat e miratuara.

4. Kujdeset për ruajtjen e mirëmbajtjen e materialeve e kancelarisë në magazinë.

5. Përgjigjet për rregullin e brendshëm dhe dispilinën në punë të punonjësve dhe pastërtinë në të gjitha mjediset e punës.

6. Ndjek planin e harxhimit te karburantit, lubrifikantit dhe pjesëve të këmbimit për automjetin e Institutit.

7. Përgatit informacione, relacione etj, për drejtuesin e Institucionit lidhur me gjendjen, problemet dhe shqetësimet e strukturave dhe jep mendime për zgjidhjen e tyre.

8. Organizon dhe kryen proçeduat për prokurimet dhe monitorimin e blerjeve sipas dispozitave ligjore në fuqi.

9. Bën planifikimin vjetor të nevojave për investime e riparime të mjeteve kryesore të Institucionit.

10. Kujdeset që prona shtetërore të mos përdoret për përfitime private.

11. Të përmirësojë aftësitë e tij profesionale dhe të marrë pjesë në veprimtaritë trajnuese.

12. Të mos kryejë punë apo veprimtari të cilat paraqesin konflikt interesash me detyrën e tij zyrtare ose pengojnë përmbushjen e saj.

13. Gjatë detyrës dhe jashtë saj të mos sillet në kundërshtim me rregullat e etikës.

 

Magazinjeri

1. Magazinjeri është përgjegjës për dokumentimin, ruajtjen e administrimin e materialeve që ndodhen në magazinë, që janë pranë Institutit të I.M.L.

2. Magazinjeri pret materalet e ardhura me dokumentat dhe pasi i verifikon ato sipas fletëdaljes, plotëson dokumentin e hyrjes në magazinë në tre kopje.

3. Kur rezultojnë diferenca në materiale dhe mungesë të cilësisë, mban proçes-verbal në tre kopje, njofton Administratorin dhe vepron sipas udhëzimeve të tij.

4. Mban librin e magazinës për materialet kryesore, ndihmuese dhe inventarin e imtë.

5. Mban kartela të veçanta për mjetet kryesore, rezervë, ndihmuese ose tepër.

6. Ndanë artikujt sipas llogarisë përkatëse dhe i vendos në rafte duke i pajisur me etiketa, me emërtimin dhe çmimin.

7. Furnizon me pajisje e kancelari të gjitha zyrat e strukturat e Institutit sipas urdhërit me shkrim të Administratorit.

8. Për çdo rast të përpilimit të fletë hyrjeve dhe fletë daljeve, në tre kopje, njëra prej tyre i dorëzohet financierit të Institutit bashkë me dokumetat shoqëruese.

9. Çdo fund muaji i dorëzon Administratorit evidencën për furnizimin, konsumin dhe gjendjen e materialeve në magazinë.

KREU XX

DETYRAT E PROTOKOLLISTES DHE ARKIVISTES

Neni 70

Sekretare – Protokolliste

1. Të gjithë dokumentat që hyjnë në Institucion i protokollon në librin Mod.1, sipas Ligjit Nr.9154, datë 06.11.2003 “Për Arkivat“ dhe ja paraqet titullarit. Pas daljes me udhëzimet e nevojshme i shpërndanë me libër të veçantë strukturave të përcaktuara nga titullari.

2. Mban të gjithë dokumentacionin e krijuar nga struktuarat e Institucionit, i rregjistron ato në rregjistrin e protokollit dhe i nis sipas destinacionit.

3. Për të gjithë dokumentacionin që hyn dhe del nga institucioni mban dosje të veçanta sipas strukturave të institutit.

4. Përgatit me kompjutër ose makinë shkrimi shkresa të ndryshme sipas nevojave të strukturave të Institutit. Shkresat detyrimisht do të kenë formën dhe paraqitjen e miratuar në Rregulloren për punën me dokumentat.

5. Mban vulën e Institutit dhe e vendos atë në shkresat, që krijohen nga Institucioni, bri emrit të titullarit ose zevendësit të tij, sipas urdhërave të tyre.

6. Vula mbahet në kasafortë dhe përdoret vetëm nga protokollistja.

7. Sipas urdhërave të Drejtorit merr pjesë në kurset e kualifikimit për mbajtjen e dokumentave dhe arkivimin e tyre.

8. Një herë në vit dorëzon me protokoll të rregullt gjithë dokumentacionin që kalon nga sekretaria në arkivë.

Arkiviste

1. Bashkërendon punën me protokollisten për administrimin e shpërndarjen e dokumentave që hynë e dalin në Institucion.

2. Sipas urdhërave të strukturave organizon arkivimin e dokumentave në zbatim të Rregullores “ Për punën me dokumentat administrative në Organet shtetërore dhe jo shtetërore“.

3. Dorëzon, sipas rregullave të Arkivit Qëndror të Shtetit dokumentat me afat ruajtje të përhershme.

4. Asgjeson dokumentat me afat ruajtje të përkohshme sipas afateve, me komision në zbatim të rregullave të caktuara.

5. Sipas urdhërave të Drejtorit merr pjesë në kurset e kualifikimit për ruajtjen e dokumentave dhe arkivimin e tyre.

KREU XXI

DETYRAT E DREJTUESIT TË AUTOMJETIT

Neni 71

1. Drejtuesi i automjetit kërkohet të ketë, të paktën patentën e klasit të III dhe detyrohet të zbatojë Rregullat e Qarkullimit Rrugor.

2. Merr në ngarkim automjetin, pranë Institucionit të M-L pas verifikimit të gjendjes teknike.

3. Lëviz me automjetin vetëm pasi të jetë pajisur me dokumentacionin e nevojshëm si: leje qarkullimi siguracioni, taksa e rregjistrimit, vërtetimin e kontrollit periodik 6 mujor.

4. Mban në gadishmëri automjetin duke bërë kontrollin ditor të gjendjes teknike të tij. Qëndron në dispozicion të Institucionit dhe lëviz sipas urdhërit të tij ose zëvendësit.

5. Merr në ngarkim karburantin dhe lubrifikantët dhe i perdorë ato sipas normativave të miratuara.

6. Për rastet e riparimit të defekteve në serviset e miratuara, qëndron dhe verifikon riparimet dhe cilësinë e pjesëve të këmbimit të vendosura, duke nënshkruar faturën e punimeve të kryera.

7. Paguhet sipas pagës së miratuar në organikë si dhe merr shpërblime të tjera që i takojnë, kurdoherë të vërtetuara nga titullari.

8. Nxjerrja e pengesave nga drejtuesi i automjetit për të mos kryer detyrën, formon shkelje të displinës në punë, që sjell masa disiplinore deri në largimin nga puna.

9. Ndalohet përdorimi i automjetit për qëllime përfitimi vetiak.

 

KREU XXII

DETYRAT E SANITARES

Neni 72

1. Sanitarja me urdhër të Administratorit pajiset me mjetet e nevojshme të punës si: përparëse, kova, fshesa, larëse, qese të ndryshme, lënde disifektuese etj.

2. Sanitarja kryen pastrimin çdo ditë të zyrave, laboratoreve, korridoreve, shkalleve, banjo dhe ambiente (heqje plehrash, mbeturina, larje, fshirje pluhuri në mure etj).

3. Nje here ne jave kryen pastrimin e territorit të jashtëm të Institucionit.

4. Bën grumbullimin e letrave dhe mbeturinave në një vend të veçantë. Mbeturinat e shkresave dhe letrave i djeg, ndërsa mbeturinat i hedh në kazanin e caktuar. Asgjeson indet dhe lëngjet biologjike në destinacionet e caktuara e shoqëruar nga një laborant.

5. Në banjë ( ËC ) çdo ditë bën pastrimin dhe desifektimin, vendos paisjet e domosdoshme e të pastra, si letër higjenike, sapun etj. Në rast të bllokimit të banjove dhe defekteve hidraulike njofton menjëherë Administratorin.

6. Caktimi i orarit të veprimeve dhe detyrave të tjera, si dhe kontrolli i cilësisë së punës, kryhet nga Administratori. Ky i fundit bën kujdes dhe për ralizimin e të drejtave të sanitares të mbrojtura me ligj e akte nënligjore.

KREU XXIII

RENDI I BRËNDSHEM I PUNËS

Neni 73

I Disiplina në punë

1. Hyrja, paraqitja, komunikimi në Institucion.

a. Të gjithë punonjësit e Institutit të M-L kanë për detyrë të zbatojnë me përpikmëri displinën në punë.

b. Punonjësit e I.M.L. kur hynë në Institucion mbajnë kartën e identitetit (me kapse në veshje ose të varur në qafë), e cila përmban fotografinë, detyrën, firmën e titullarit dhe vulën.

c. Punonjësit e I.M.L. duhet të kenë paraqitje të rregullt, veshje pune serioze dhe të përshtatshme me natyrën dhe rëndësinë e këtij institucioni.

d. Me hyrjen në institucion punonjësi është i detyruar të zbatojë rregullat e etikës dhe të komunikimit.

e. Gjatë punës dhe në ambientet e punës, punonjësit i ndalohet të flasë, të qesh me zë të lartë dhe të komunikojë me gjatë e gjeste që bien ndesh me etikën e pranuar.

f. Vazhdimisht ambjenti i punës (zyra) duhet të mbahet pastër, me dokumenta të sistemuara, pa ngarkesa e objekte që pengojnë kryerjen e detyrave.

 

2. Koha e punës dhe e pushimit.

a. Koha e punës në I.M.L është 8 orë për personelin tekniko-administrativ.

Ajo fillon çdo ditë në orën 8.00 dhe mbaron në orën 16.00.
Koha e punës në I.M.L. është 6 orë për ekspertët mjeko-ligjor, toksikologo-ligjor biologo-ligjor, psikiatriko-ligjor dhe laboratet.
Ajo fillon çdo ditë në orën 08.00 dhe mbaron 14.00.

Puna në I.M.L. mbas këtij orari mbulohet nga eksperti i gatshëm.
Dita e shtunë, e diele dhe festat zyrtare janë pushim.

b. Struktura të veçanta do të përfitojnë nga akte ligjore e nënligjore që redukojnë orarin e punës.

c. Respektimi i orarit të punës është i detyruar të zbatohet dhe kontrollohet nga titullari dhe zëvendësi i tij, nëpërmjet administratorit.

ç. Punonjësi që nuk vjen në punë në kohën e caktuar, pa arsye, nuk pranohet pa lejen e titullarit të Institucionit.

d. Gjatë orarit të punës ndalohet lëvizja nga vëndi i punës dhe dalja pa leje te eprorit .

dh. Punonjësit gëzojnë një leje vjetore të pagueshme dhe leje të tjera, në rastet dhe sipas kushteve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

e. Punonjësit përfitojnë trajtim shëndetësor, për vehte dhe pjestarët e familjes që kanë në ngarkim, në përputhje me dispozitat ligjore .

f. Punonjësit marrin shpërblime shtese dhe u paguhen shpenzimet, sipas kritereve dhe masës së parashikuar në V.K.M, për punë jashtë orarit dhe udhëtime pune.

III Rregulli per hyrjen ne Institucion

a. Personat që hynë në I.M.L. për takime pune, paraqesin kartën e identitetit, të cilët i tregojnë Rojes shërbimit, personin që kërkojnë dhe shkakun e takimit.

b. Roja e shërbimit komunikon me administratorin i cili organizon pritjen e takimin.

c. Për rastet e ardhjes së delegacioneve të huaja, Roja e shërbimit lidhet me adminstratorin dhe njofton ardhjen e merr udhëzimet e duhura.

d. Bëhet kujdes që personalitetet shtetërore, që vijnë pa lajmëruar me parë, por që njihen ose paraqesin dokumentin identifikues, ti krijohen të gjitha kushtet dhe lehtësitë për të zbatuar takimin me Drejtorin e Institutit te Mjekësisë Ligjore ose Administratorin.

e. Punonjësve të Institucionit nuk u lejohet të bëjnë pritje të shtetasve ose të punonjësve në zyrat e tyre persona të jashtëm, që nuk kanë lidhje me punën.

f. Ne rastet kur në I.M.L. vijnë apo thirren gazetare e grupe xhirimi nga organet e ndryshme të Medias, roja njofton Administratorin, i cili vepron sipas rregullave e urdhërit të Drejtorit ose zëvendeëit të tij.

IV. Pritja e shtetasve që kanë ankesa e kërkesa.

a. Pritja e shtetasve që kanë kërkesa e ankesa për realizimin e të drejtave të tyre, të mbrojtura me ligj bëhet në ç’do kohë.
b. Drejtori i Institutit kur është e mundur zgjidh vetë problemin në të kundërt i dërgon për zgjidhje tek personat kompetente të Institucionit.
c. Përgjigje e ankesës e kërkesës beëet sipas K.Pr.Penale, K.Pr.Civile kodit të Proçedurave administrative dhe afateve të përcaktuara në këtë rregullore.

 

KREU XXIV

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 74

Për ndjekjen dhe zbatimin e kësaj rregullore ngarkohet Instituti i M.L. dhe Drejtoria e Profesioneve të Lira e Ministrisë së Drejtësisë.

Neni 75

Kjo rregullore hyn në fuqi me datën e Miratuar nga Ministri i Drejtësisë.

 

 

 

KODI I ETIKËS SE MJEKESISE LIGJORE

 

KREU I PARË
PARIME KRYESORE

Neni 1. Përcaktimi

Etika Mjekoligjore është teresia e principeve dhe normave etiko-morale dhe profesionale mbi bazën e të cilave ekspertët mjekoligjor ( patologë , toksikologë , psikiatër dhe biologë ) shprehin vullnetin e tyre dhe ndërgjegjësimin për respektimin e profesionit duke u karakterizuar nga humanizmi , objektiviteti dhe sjellja e kulturuar gjatë përmbushjes së detyrës .

Neni 2. Njohja e Kodit të Etikës

Ekspertët funksionalë ose të jashtëm , kur rregjistrohen në listën e ekspertëve ose caktohen si të tillë për të kryer një ekspertizë nga organi i drejtesisë , duhet të kenë njohuri të plota të Kodit të etikës dhe njekohësisht bën betimin me gojë ose me shkrim , duke u zotuar se do ta respektoje ate me përpikmeri .

Neni 3. Misioni i Ekspertit

Misioni i ekspertit i shërben qëllimeve dhe detyrave të Drejtësisë dhe gjithë veprimtarinë e tij e kryen ne bazë të ligjit .

Neni 4. Qëllimi i misionit

Eksperti mjekoligjor duhet të përqëndrojë misionin e tij në shërbim dhe në ndihmë të drejtësisë , të ofrojë ekspertizë mjeko-ligjore të njejtë për të gjithë , pa dallim moshe , seksi, rrace, kombësie, feje, përkatësie, pikëpamje politike, gjendje ekonomike, pozitë shoqerore etj , duke respektuar ne te njejten kohe te drejtat e njeriut dhe dinjitetin e ç’do individi

Neni 5. Respekti ndaj të vdekurit

Eksperti duhet të bëjë gjithshka që ka në dorë për të respektuar të vdekurin dhe me një sjellje etike të përshtatshme të ofrojë përkujdesje shpirtërore dhe profesionale ndaj trupit të të vdekurit dhe lehtësimin e dhimbjes të familjarëve .

Neni 6. Përdorimi i njohurive

Eksperti duhet të përdorë njohuritë dhe aftësitë e tij duke u bazuar në pavarësinë profesionale, lirinë e veprimit dhe përgjegjshmërinë personale .

KREU I DYTË
DETYRIMI PROFESIONAL

Neni 7. Reputacioni profesional dhe figura morale

Eksperti duke mbrojtur traditat më të vyera të profesionit të tij, duhet të praktikojë një standard të lartë profesional dhe të ruajë të pastër figurën e tij morale duke qëndruar larg aktiviteteve që ç’vlerësojnë personalitetin e tij .

Neni 8. Kompetenca profesionale

Eksperti në funksion të kryerjes së detyrës duhet të garantojë përkushtim, objektivitet dhe kompetencë profesionale brenda njohurive dhe aftësive tekniko – shkencore.

Neni 9 . Pavarësia profesionale

Eksperti me ç’do kusht duhet të ruajë pavarësinë e tij profesionale, të vendosë me objektivitet në bazë të ndërgjegjies së vet profesionale dhe morale, mbasi nuk duhet të jetë as ekspert i akuzës dhe as i mbrojtjes.

Neni 10. Kufizime të aktivitetit profesional

Eksperti në asnjë rast nuk duhet të abuzojë me kushtet që i krijon profesioni. Ai duhet të luftojë me vendosmëri ç’do rast abuziv dhe korruptues në kryerjen e detyrës dhe është i detyruar të denoncojë në organet kompetente ç’do veprim të shfaqjes së tyre.

Neni 11. Përjashtimi i ekspertit

Eksperti nuk duhet të jetë njëkohësisht edhe ekspert dhe mjek kurues për një person që i nënshtrohet ekspertimit. Nga ana tjetër, ai nuk duhet të pranojë të bëjë një ekspertim në raste lidhje gjinie ose miqësie ose ku është i interesuar për qëllime personale.

Neni 12. Rritja e aftësive profesionale

Për të rritur autoritetin profesional është detyrë e ekspertit që vazhdimisht të studiojë dhe të ndjekë zhvillimet e reja të profesionit të tij, në mënyrë që të rrisë nivelin e kryerjes së ekspertizës në shkollën më të lartë.

Neni 13. Proçedurat teknike të ekspertimit

Eksperti duhet të respektojë rregullat proçeduriale teknike gjatë ekspertimit në pajtim me standartet e pavuara të shkencës mjekoligjore bashkëkohore dhe të K.Pr. Penale. Ai duhet të jetë sa më racional në shpenzimet ekonomike gjatë aplikimit të metodave laboratorike, të cilat duhet të jenë të sigurta dhe të vërtetuara shkencërisht.

Neni 14. Dokumentimi i ekspertimit

Të gjitha veprimet dhe analizat mjekoligjore që kryen eksperti ndaj personave, të kufomave, provave materiale apo dokumentave të çështjes, brenda afateve kohore të përcaktuara, dokumentohen në rregjistra, akte mjekoligjore etj.
Ç’do abuzim, mashtrim ose fallcifikim i tyre është i dënueshëm me ligj.

Neni 15. Ruajtja e sekretit profesional

Të dhënat që eksperti mëson gjatë kryerjes së detyrës konsiderohen si sekret pro- fesional. Atij nuk i lejohet të publikojë ekspertizën e tij, as të pranojë intervista apo konferenca shtypi. Eksperti duhet të kujdeset që personeli ndihmës (laborantë, teknike etj) me të cilët ai kryen një ekspertim, të kenë të njëjta detyrime lidhur me ruajtjen dhe respektimin e sekretit profesional. Në të njëjtën mënyrë duhet të ruhen e sigurohen aktet mjekoligjore provat materiale dhe dokumentat e tjera që lidhen me ekspertimet.

KREU I TRETË

MARRËDHËNIET MIDIS EKSPERTËVE DHE NDAJ INSTITUCIONEVE

Neni 16. Marrëdheniet me kolegët dhe personelin

Gjatë punës së tij, eksperti duhet të bëjë kujdes për të ruajtur emrin e mirë të profesionit të tij dhe të ketë marrëdhënie korrekte me kolegët dhe personelin ndih- mës.

Neni 17.Solidariteti mes kolegëve

Në qoftë se një eksperti i kërkohet një këshillë ose ndihmë profesionale nga një koleg, ai duhet të jetë i gatshëm t’ia japë ato me sinqeritet dhe në përputhje me njohu- ritë më të mira. Ai duhet të jetë solidar me kolegë që iu nënshtrohen akuzave të padrejta.

Neni 18. Gabimet e bashkëpuntorëve

Eksperti është i detyruar të verë në dukje gabimet që mund të bëhen nga bashkë- punëtorët ose personeli tjetër ndihmës, duke i trajtuar ato me takt, pa cënuar dinjitetin e asnjërit.

Neni 19. Bashkëpunimi profesional

Ekspertët nga pikëpamja morale dhe profesionale duhet të bashkëpunojnë në ekip me njëri-tjetrin dhe përgjegjësia e secilit është personale. Kur gjatë një ekspertize ka mendime të kundërta, secili ka të drejtë të parashtrojë konkluzione të veçanta me gojë ose me shkrim.

Neni 20. Respekti ndaj institucioneve

Eksperti duhet të kujdeset në ruajtjen e raporteve korrekte dhe bashkëpunuese me kolegët e institucioneve të tjera (Gjykatë, Prokurori, Polici, Shëndetësi etj).
Marrëdhëniet midis tyre duhet të bazohen në principet e respektit dhe besimit reci- prok.

KREU I KATËRT

KUSHTET E USHTRIMIT TË PROFESIONIT

Neni 21. Sigurimi i mjedisit të punës

Për të ushtruar veprimtarinë e tij, eksperti duhet të ketë një mjedis të përshtatshëm dhe mjetet e nevojshme teknike.
Eksperti nuk duhet të ushtrojë profesionin e tij në kushte që mund të cënojnë cilësi- në e ekspertimit.

Neni 22. Mos shfrytëzimi i funksioneve administrative

Eksperti që kryen funksione të larta administrative ose është i zgjedhur në detyrë të rëndësishme publike, e ka të ndaluar të kryej detyrën e ekspertit. Eksperti funksional shtetëror i ndalohet të kryej njëkohësisht ekspertime në një kabinet privat.

Neni 23. Kontrata e punës

Ushtrimi i funksionit të veprimtarisë ekspertuese në ç’do formë bëhet me kontratë me shkrim, ku përcaktohen detyrimet përkatëse të palëve në përputhje me Kodin e Punës.

KREU I PESTË

DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 24. Respektimi i Kodit

Është detyrë e të gjithë ekspertëve të rregjistruar në listën e ekspertëve ose që caktohen si të tillë nga organet e drejtësisë, të respektojnë nyjet e këtij Kodi.

Neni 25. Masat disiplinore

Mosnjohja e këtij Kodi nuk e përjashton ekspertin nga përgjegjësia që vjen nga moszbatimi i detyrave etike e deontologjike të përshkruara në këtë Kod.
Masat disiplinore përcaktohen sipas Rregullores, urdhëresave dhe ligjeve në fuqi.

Neni 26. Hyrja në fuqi

Ky Kod hyn në fuqi menjëherë.

MINISTRI I DREJTËSISË SPIRO PEÇI

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË REPUBLIKA E SHQIPËRISË
MINISTRIA E DREJTËSISË MINISTRIA E FINANCAVE

Nr.1331/1 Prot., datë 16.03.2006 Nr.1134/1 Prot., datë 23.03.2006

URDHËR I PËRBASHKËT
PËR
MIRATIMIN E TARIFAVE PËR VEPRIMET DHE SHËRBIMET
QË OFRON INSTITUTI I MJEKËSISË LIGJORE

Në mbështëtje të nenit 102, pika 4 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Ligjit Nr.8678, datë 14.05.2001, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, Ligjit Nr.7893, datë 22.12.1994, “Për shkencën dhe zhvillimin teknologjik”, V.K.M., Nr. 120, datë 27.02.2003 “Për krijimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore”,

U R D H Ë R O J M Ë;

1. Miratimin e tarifave për veprimet dhe shërbimet që ofron Instittuti I Mjekësisë Ligjore sipas aneksit bashkëlidhur.
2. Shfuqizimin e Urdhërit të Ministrit të Drejtësisë Nr.3375, datë 16.09.1999, “Për tarifat e Mjekësisë Ligjore”.
3. Për zbatimin e këtij urdhëri ngarkohet Drejtoria e Profesioneve të Lira në Ministrinë e Drejtësisë si dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

 


MINISTRI I DREJTËSISË MINISTRI I FINANCAVE

ALDO BUMÇI RIDVAN BODE

TABELA E TARIFAVE
PËR EKSPERTIMET E NDRYSHME QË KRYHEN SHËRBIMI
MJEKO-LIGJOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

EKSPERTIME NË FUSHËN E PATOLOGJISË LIGJORE

Nr. Loji i Ekspertimit Koha mesatare TARIFA
Orë (lekë)

1.EKSPERTIME NË PERSONA

1.a. Dëmtime të përëndësishme dhe deri në 9-ditë. 1 500
1.b. Dëmtime mbi 9-ditë pa shtrim në spital 2 1.000
1.c. Dëmtime mbi 9-ditë me shtrim në spital. 3 2.000 1.d. Përcaktimi i moshës, identitetit. 4 2.000
1.e. Përcaktimi i shkallës së dehjes së alkolit. 5 5.000
1.f. Përcaktimi i barrës, dështimi, lindjes 5 5.000
1.g. Përcaktimi i gjëndjes seksuale dhe në krimet seksuale. 5 5.000

2. EKSPERTIME NË KUFOMA.

2.a. Autopsia në morg. 5 10.000
2.b. Autopsia në vënd ngjarje. 8 15.000
2.c. Autopsi në kufomë të kalbëzuara, të coptuara dhe skeletizuara. 10 20.000
2.d. Ç’varrosje të kufomës. 15 50.000

3. Ekspertime mbi dokumentat e çështjes

3.a. Ekspertime të thjeshta pa komision. 4 3.000
3.b. Ekspertime të thjeshta me komision. 5 5.000
3.c. Ekspertime të ndërlikuara me komision. 12 20.000
3.d. Riekspertime me komision. 8 10.000

EKSPERTIME NË FUSHËN E BIOLOGJISË LIGJORE

4. EKSPERTIME TË LËNGJEVE BIOLOGJIKE

4.a. Ekspertim i gjakut të lëngshëm me një objekt. 2 3.000
4.b. Ekspertimi i gjakut të lëngshëm me shumë objektë. 5 5.000
4.c. Ekspertimi i spermës së lëngshëm. 2 3.000
4.d. Ekspertimi i gjakut për njohje atësie ose amësie 8 30.000

 

5. EKSPERTIME TË NJOLLAVE TË THATA, QIMEVE, INDEVE.

5.a. Ekspertime i njollave të gjakut me një objekt. 10 5.000 5.b. Ekspertimi i njollave të gjakut me shumë objektë. 24 20.000
5.c. Ekspertimi i njollave të spermës. 5 5.000
5.d. Ekspertimi i qimeve. 8 5.000 5.e. Ekspertim i materialeve indore me histopatologji 10 8.000
5.f. Ekspertimi i materialeve indore me histiokimi 15 10.000
5.g. Ekspertim antropologjik i eshtrave skeletike. 6 5.000
5.h. Ekspertim antropologjik i një skeleti të plotë. 12 10.000

 

EKSPERTIME NË FUSHËN E KIMISË LIGJORE.

6. Ekspertime në organet kufomore

6.a. ekspertim kimik në organe të freskëta. 6 7.000
6.b. Ekspertim kimik për organe të freskëta për shumë helme. 30 25.000
6.c. Ekspertim kimik në organe të dekompozuara për një helm të veçantë. 6 10.000
6.d. ekspertim kimik në organe të dekompozuara për shumë helme. 30 27.000

7. EKSPERTIME KIMIKE NË MATERIALE TË SEKUESTRUARA
(DROGË,MEDIKAMENTE).

7.a. Ekspertimi për një element të veçantë. 4 7.000
7.b. Ekspertim për shumë elementë. 12 13.000

8. EKSPERTIME KIMIKE NË PROVA (ujë, ushqime, pije etj).

8.a. Ekspertime për një element të veçantë. 4 5.000
8.b. Ekspertim për shumë elementë. 10 8.000

9. EKSPERTIME KIMIKE NË LËNGJE BIOLOGJIKE (gjak, urinë etj.)

9.a. Ekspertim për një element të veçantë. 3 10.000
9.b. Ekspertim për shumë elemente. 6 15.000

EKSPERTIME NË FUSHËN E PSIKIATRISË – LIGJORE

10. EKSPERTIME PSIKIATRIKE NË ÇËSHTJE PENALE.

10.a. Ekspertim psikiatrik ambulatore 10 10.000
10.b. Ekspertim psikiatrik spitalore. 20 20.000

11. EKSPERTIME PSIKIATRIKE NË ÇËSHTJE CIVILE.

11.a. Ekspertime psikiatrike ambulatore 10 10.000
11.b. Ekspertim psikiatrike spitalore. 20 15.000
11.c. Ekspertime në mungesi (pas vdekjes). 30 25.000

12. THIRRJE TË EKSPERTËVE (PATOLOGË, TOKSIKOLOGË, BIOLOGË, PSIKIATËR) NË SEANCAT GJYGJËSORE.

12.a. Për çështje penale 10.000
12.b. Për çështje civile. 5.000

13. SHËRBIME TEKNIKE NË MORG

13.a. Ruajtja e kufomës në morg për çdo ditë për vëndas dhe të huaj. 3.000
13.b. Tualeti i kufomës. 2.000
13.c. Ballsamimi i kufomës. 5.000 13.d. Skeda e vdekjes. 100
13.e. Dokumenta për transport jashtë shtetit. 5.000

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

UDHËZIM
Nr.1,datë 31.03.2006

MBI PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE TË VEÇANTA QË DUHET TË
PLOTËSOJNË AUTOMJETET E VARRIMIT

Në zbatim të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës dhe të nenit 24 pika 3 të ligjit nr. 9220, datë 15.04.2004 “Për shërbimin publik të varrimit”, Ministri i Punëve Publike, Trasportit dhe telekomunikacionit edhe Ministri i Shëndetsisë

UDHËZON:

1. Trasportimi i kufomave bëhet vetëm me automjete të posaçme funerali, të cilat, kur trasportojnë kufomën, nuk lejohen që të kenë ngarkesë tjetër.
2. Automjetet e varrimit, të destinuara për trasportimin e kufomave në rrugët e qyteteve për në varrezë, duhet të janë të veshura nga brenda me fletë metali inoks ose me material tjetër të papërshkueshëm nga lëngjet dhe që pastrohen e dezinfektohen me lehtësi. Automjeti duhet të jetë i pajisur me karel për fiksimin e arkivolit, që ai të mos lëvizë gjatë transportimit.
3. Këto automjete mund të vihen në shërbimin publik të varrimit nga komuna, bashkia apo subjektet private vetëm pasi të jenë verifukuar dhe konfurmuar si të pështatshme nga Inspektorati Sanitar Shtetëror, i cili, pasi jep lejen, duhet të kontrollojë të paktën një herë në vit gjendjen higjenike të tyre.
4. Ndalohet transportimi i kufomave me mjete që shërbejnë për trasportin e pasagjerëve, si dhe mjete të destinuara për trasportimin e produkteve ushqimore.
5. Automjeti i varrimit, kur trasporton një kufomë, pasi kthehet nga varrimi, pastrohet dhe dezinfektohet. Për çdo rast të tillë, në varreza duhet të ketë vende të posaçme ku bëhet dezinfektimi, edhe i gomave të automjeteve, me solucion dezifektant.
6. Për çdo lëvizje të automjetit të varrimit, duhet të mbahet një regjistër i veçantë nga drejtuesi i tij ose nga subjekti funeral. Ky regjistër paraqitet sa herë e kërkojnë organet e kontrollit.
7. Automjetet e varrimit duhet të përkohen në parkime të vendosura në vende të veçanta, të caktuara me urdhëresë të kryetarit të bashkisë a të kominës duke respektuar normat e rregullores vendore të urbanistikës.
8. Këto vendparkime duhet të jenë të kompletuara me mjetet e nevojshme për pastrimin dhe dezinfektimin e automjeteve të varrimit.
9. Përshtatshmëria e vendeve të parkimit të automjeteve të varrimit duhet të jetë e tillë që të respektojë rregullat kompetente të sigurimit publik dhe të shërbimit zjarrfikës.

MINISTRI I PUNËVE PUBLIKE, MINISTRI I SHËNDETSISË
TRASPORTIT Maksim Cikuli
DHE TELEKOMUNIKACIONIT
Lulzim Basha